Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistet e Kosovës gati për miqësoret ndaj Maqedonisë

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave, pasi i zhvilloi dy seanca stërvitore në Prishtinë, është nisur për në Maqedoni, ku me këtë shtet do të zhvillojë dy miqësore.

Takimet do të luhen më 30 shtator e 2 tetor në Shkup, ndërsa do të jenë 22-futbolliste të gatshme për lojë, transmeton KTV.

“Në plan-programin tonë kemi pasur 4 grumbullime duke shfrytëzuar datat e lira të FIFA-s. Terminin e qershorit e kemi pezulluar, për shkak të vdekjes së presidentit Vokrri. Terminët tjerë do t’i shfrytëzojmë dhe realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme deri në parakualifikimet e ardhshme. Patëm dy stërvitje dhe kaluan mirë e do të kemi dy ndeshje me Maqedoninë. Do të shfrytëzojmë rastin të shohim nga afër paraqitjen e prurjeve të reja. Është shumë e rëndësishme që nuk kemi asnjë refuzim të futbollisteve nga jashtë, gjë që flet se ekipi i Kosovës po bëhet gjithnjë e më joshës. Tashmë pas pranimit në UEFA dhe FIFA edhe qasja në FFK-së ka ndryshuar shumë sa i përket futbollit të femrave, ku kemi një angazhim të jashtëzakonshëm. Shpresoj të marrim më të mirën nga këto dy ndeshje me Maqedoninë” , ka deklaruar për faqen zyrtare të FFK-së, përzgjedhësja Afërdita Fazlija.