Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar me fitore në ndeshje miqësore. Futbollistet e Kosovës të enjten fituan 4:0 ndaj Lihtenshtajnit. Ndeshja është zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Lihtenshtajni është përfaqësuese me pak përvojë dhe nuk i bëri rezistencë Kosovës.
Futbollistet e përzgjedhëses Anneli Andersen dominuan nga fillimi, ndërsa për 1:0 shënuan në minutën e 41-të. Lojtarja më e mirë, Erëleta Memeti ishte realizatore.
Në pjesën e dytë Andersen rastin ua dha lojtareve tjera, por dominimi i Kosovës vazhdoi. Në minutën e 58-të u dha penallti për Kosovën, të cilën në gol e shndërroi Feride Kastrati.
Tre minuta më pas për 3:0 shënoi Kaltrina Biqkaj. Dominimi i futbollisteve të Kosovës në fushë vazhdoi, ndërsa për 4:0 shënoi Jehona Shala në minutën e 87-të.
Kosova luan miqësore me Lihtenshtajnin edhe të dielën. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 11:30 po në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Edhe
Futbollistet e Kosovës vazhdojnë serinë e fitoreve
Kosova, si asnjëherë më parë, është në seri prej gjashtë fitoreve. Në muajin shkurt kishte fituar në Turqi ndaj Estonisë, Hong Kongut dhe Bullgarisë. Në prill në Sofje të Bullgarisë, ftoi ndaj Letonisë dhe siërhs ndaj Bullgarisë. Tjetër fitore pritet të dielën.
Miqësoret me Lihtenshtajnin shërbejnë si përgatitje për paraqitje në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Ndeshjen e parë në këtë garë të re, Kosova e luan më 26 shtator, në udhëtim ndaj Bullgarisë.
Lihtenshtajni ka nisur me ndeshje miqësore në vitin 2021. Deri më tani i ka luajtur vetëm nëntë miqësore. Vjet i humbi të gjitha tri ndeshjet, ndërsa ndeshja e së enjtes është e para për këtë vit.