Futbolli italian ka vendosur t’ua ndalojë lojtarëve të veshin fanellën me numër 88 për shkak të lidhjeve të tij me Adolf Hitlerin, në një goditje kundër antisemitizmit, kanë njoftuar mediumet italiane të mërkurën. Numri është përdorur nga grupet “neonaziste” për të simbolizuar sloganin “Heil Hitler” me shkronjën “H”, që është numri i tetë i alfabetit. Në muajin mars një tifoz u pa i veshur me një fanellë të Lazios me emrin “Hitlerson” dhe me numrin 88 në shpinë. Ai pati mbështetës dhe dy të tjerë që bënë “përshëndetjet romake” të lidhura me fashizmin, u ndaluan të frekuentojnë ndonjë ndeshje futbolli në stadiumin “Olimpico” në të ardhmen.
Portieri Gianluigi Buffon është lojtari i profilit më të lartë që ka veshur fanellën me numrin 88 në të kaluarën gjatë kohës së tij në Parma, megjithëse ai ndryshoi numrin pasi pranoi se “nuk e dinte kuptimin e fshehur” të numrit 88. Anëtarët e qeverisë së Italisë dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina, nënshkruan një marrëveshje të martën mbrëma për të ndaluar lojtarët që të veshin fanellën me numrin 88 në shpinë. Nisma gjithashtu bën thirrje që ndeshjet të ndërpriten në rast të thirrjeve ose akteve antisemitike - të ngjashme me mënyrën se si supozohet të trajtohen rastet e racizmit. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, tha se këto lëvizje janë “një përgjigje adekuate dhe efikase ndaj paragjykimeve të patolerueshme që lindin shumë shpesh në stadiumet tona”.
Presidenti i federatës italiane, Gravina, shtoi se kredibiliteti i futbollit është “lënduar nga sjellja diskriminuese e tifozëve” dhe ka një “reflektim të drejtpërdrejtë në shoqërinë italiane”.
Veprimi do të thotë se çdo lojtar në Serinë A dhe ligat më të ulëta në Itali, që vesh numrin 88, do të duhet të zgjedhë një numri të ri në fanellë përpara fillimit të edicionit 2023/24. Mario Pashaliq i Atalantas dhe Toma Bashiq i Lazios janë dy lojtarë që do të preken direkt nga ndryshimi i rregullit. Të dy, të cilët janë pjesë e skuadrave nga Serie A, bartin fanellën me numrin 88. Nuk ka asnjë sugjerim që lojtarët e dinin për lidhjen e numrit të fashizmit. Nisma përfshin shtimin e një kodi etik në përputhje me Aleancën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Tifozi që veshi fanellën “Hitlerson” në ndeshjen që Lazio e luajti kundër Romës në muajin mars, do të përballet me akuza sipas ligjit Mancino të vitit 1993 kundër gjesteve, veprimeve dhe sloganeve që përshëndesin nazizmin apo fashizmin. Komuniteti hebre i Romës dënoi sjelljen e supozuar antisemitike pas ndeshjes. Ruth Dureghello, presidente e komunitetit hebre të Romës, shkroi në rrjetet sociale: “Një tribunë e tërë që këndonte këngë antisemite, një ‘tifoz’ në tribuna me një fanellë të Hitlersonit dhe numrin 88, dhe ne, si gjithmonë, të vetmit të indinjuar dhe protestues. A mund të ndodhë që të gjithë vazhdojnë të pretendojnë se asgjë nuk po ndodh?”.
-
“Adidas” ua ndalon tifozëve blerjen e fanellave me numrin 44 për shkak të simbolit nazist
-
Pse Argjentina nuk mund ta pensionojë fanellën me numrin 10?
-
Infantino thotë se lojtarët do të përjashtohen nëse e mbulojnë gojën gjatë përplasjeve me kundërshtarë
-
Çka është rregulli “Vinicius Junior” dhe kur do të prezantohet në futboll?
-
Pse futbollistët në Serie A kanë “shenja” të kuqe në fytyrë