Pashtriku garon vetëm në kategorinë e katërt të futbollit kosovar, por fusha e këtij klubi do të ishte e lakmueshme edhe për një pjesë të skuadrave të Superligës. Pashtriku luan buzë Drinit të Bardhë, në Rogovë të Gjakovës, fshatin e madh e të dhënë pas futbollit. Fusha mirëmbahet me kujdes, është mirëmbajtur rregullisht edhe gjatë pandemisë. Në mbrëmje ky terren futbolli ndriçohet nga reflektorët.
Koordinatori i klubit, Bajram Gashi, ka treguar për KOHËN se banorët e fshatit për rreth dy dekada kujdesen për mirëmbajtjen e fushës, si dhe për funksionimin e klubit.
“Nga marsi e deri më tani kjo fushë është kositur 19 herë. Krejt kjo bëhet me vetëkontribut. Normal që kjo kushton, kushton mirëmbajtja e makinës, plehërimi, karburantet, koha që e humbin, pasi edhe kjo e merr një kohë për ta kositur, por si do që të jetë, vullneti i madh i njerëzve që kanë dhënë kontribut krejt jetën për klubin ka bërë që fusha të jetë në gjendje të mirë. Dy njerëz që kujdesën për fushën janë Florim Krasniqi dhe Petrit Shala, të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar klubit”, tha Gashi.
Ai tregon se në vitin 2002 brenda dy javësh arritën që ta kthenin fushën në gjendje që t’ia kenë lakmi edhe klube të niveleve më të larta.
“Kjo fushë është bërë me vetëkontributin e të gjithë fshatarëve të Rogovës. Në vitin 2002, fusha është rregulluar përmes bartjes së pjesëve të vogla nga livadhet e dy bashkëvendësve tanë, të cilët i kanë lëshuar për të ndërtuar fushën. Bartja ka zgjatur diku dy javë, pastaj ka marrë kohë edhe ngjeshja e fushës dhe ujitja. Që nga ajo kohë fusha ka qenë në gjendjen shumë të mirë, por asnjëherë në këtë gjendje”, deklaroi koordinatori i Pashtrikut. Në terrenin e Pashtrikut asnjëherë nuk ka investuar Komuna e Gjakovës që ka në pronësi ngastrën.
Ka munguar deri më tani edhe dora e shtetit, përkatësisht Ministrisë së Sportit. Vitin e kaluar MKRS-ja e kishte në tavolinë një projekt të përgatitur nga klubi, por që nuk e përkrahu.