Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë kishte pamje të bukur të dielën pasdite. Të paktën e bukur dukej nga distanca. Por, vetëm para se të zhvillohej ndeshja në mes të Prishtinës dhe Ballkanit.
Gjatë derbit të xhiros së pestë të Superligës në futboll, për shkak të reshjeve të shiut, fusha u dëmtua. Dhe pamja nuk ishte e njëjtë.
Dëmtimi i barit vërehet në shumë pjesë të fushës së stadiumit të vetëm në vend që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhe përfaqësueseve. Rikuperimi i fushës do të jetë vështirë të bëhet 100 % deri të enjten kur Ballkani do ta bëjë debutimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Të enjten nga ora 18:45 Ballkani është nikoqir i Clujit të Rumanisë.
Në fakt, Ballkani krahas ndeshjeve kualifikuese evropiane i ka zhvilluar në “Fadil Vokrri” edhe ndeshjet kampionale si vendas. Në “Fadil Vokrri” kanë luajtur edhe Llapi, Drita dhe Gjilani. Edhe Prishtina e edhe përfaqësuesja e futbollisteve së fundi. Ndeshjet e shumta dhe të rregullta, fusha e stadiumit nuk po i përballon më.
Drejtori i stadiumit “Fadil Vokrri”, Benet Rezniqi, ka thënë se fusha ka probleme dhe se nuk mund ta përballojë ngarkesën e ndeshjeve.
“Pas ndeshjes ka qenë gjendja e rëndë, ndërsa sot është pak më mirë për shkak se nuk ka të reshura dhe ka pasur diell. Jemi duke punuar në rigjenerimin e fushës. Deri të enjten është shumë kohë e shkurtër për t’u riparuar 100 %, por ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për të qenë në kushte optimale për t’u zhvilluar ndeshja. Fusha ka problem për të pasur ngarkesën e viteve të kaluara. Nuk mund ta përballoj ngarkesën e ndeshjeve që do të luhen në shtator, tetor dhe nëntor”, ka thënë Rezniqi të hënën për KOHËN.
Rezniqi insiston se vetëm pa të reshura fusha mund t’i mbijetojë dëmtimit. Në të kundërtën thotë se është e vështirë të rikuperohet.
“Mund të dalë ndonjë ekspert që mund të më demantojë, por problem të përballoj të gjitha ndeshjet. Nëse ka diell mund ta përballoj, por nëse ka shi dhe është mot i ftohtë është vështirë të përballoj ngarkesën”, është shprehur Rezniqi.
Ballkani pas ndeshjes ndaj Clujit do t’i luajë edhe dy ndeshje tjera si vendas, kundër Sivassporit dhe Slavias së Pragës. Por, nuk është vetëm Ballkani që do ta shfrytëzojë stadiumin “Fadil Vokrri” deri në nëntor të këtij viti. Si vendase do të luajë edhe Prishtina, ndërsa ka edhe ndeshje të përfaqësueseve. Kosova A do ta luajë ndaj Qipros ndeshjen e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, më 27 shtator. Një ditë para ndeshjes si Qipro ashtu edhe Kosova do të stërviten në “Fadil Vokrri”.
Vite më parë ka nisur edhe rinovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë. Por, rinovimi i tij në tërësi është shumë larg përfundimit. Punët janë ndalur.
“Kemi të enjten ndeshje dhe nuk e di a do t’i lejohet (Ballkanit v.j.) që edhe ndeshjet e tjera t’i luajë në ‘Fadil Vokrri’, por nuk besoj se do t’i lejojnë t’i luajë kampionale. Prishtina luan më 14, më 26 dhe 27 shtator kombëtarja A. Pastaj luan përfaqësuesja U-17 në fillim të tetorit. Do të luhen disa ndeshje në Podujevë dhe disa tek ne. Pastaj duhet parë tetorin dhe nëntorin si janë. Kemi kërkuar nga Ballkani që para ndeshjes kundër Clujit të stërvitet në kampion nacional të FFK-së në Hajvali, ndërsa ekipi kundërshtar do të stërvitet këtu. Por, ne do të vendosim shirita ku nuk do të mund ta shfrytëzojnë ato pjesë”, është shprehur Rezniqi.
KOHA ka mësuar se në ditët në vijim do të ketë inspektim të fushës nga zyrtarë të UEFA-s para ndeshjes që Ballkani do ta luajë ndaj Clujit.
Rezniqi thotë se ndeshja në mes të Ballkanit dhe Clujit nuk rrezikon të mos zhvillohet, por ngre dyshime se në një të ardhme edhe mund të mos lejohet të zhvillohet ndonjë ndeshje.
“Nuk rrezikon të mos lejohet. Nuk kemi dështuar katër vjet dhe nuk do të vijë deri te rrezikimi i ndeshjes së Ballkanit në Evropë, por nëse vazhdon kështu diku do të ngecim”, ka thënë Rezniqi.