Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fundjavë me gola dhe asistime për futbollistët e Kosovës

Milot Rashica të shtunën ka shënuar golin e parë këtë vit në Bundesligën e Gjermanisë. Por kontributi i tij me një gol dhe një asistim e ka ndihmuar Werder Bremenin që ta siguroj plejautin në ndeshjen e fundit të këtij edicioni në elitën e futbollit gjerman.

Rashica në Bundesligë nuk kishte shënuar gol që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar. Atëbotë sulmuesi i krahut e pati shënuar në humbjen e thellë kundër kampionit të Gjermanisë, Bayern Muenchenit, 6:1.

Por sulmuesi i Kosovës të shtunën e shënoi golin e dytë, derisa asistoi në golin e fundit në fitoren e Werderit ndaj Koelnit me rezultatin 6:1.

Për Rashicën, që të dielën festoi ditëlindjen e 24-t, ishte goli i tetë dhe asistimi i shtatë në 28 ndeshje. Për ta siguruar mbijetesën në elitë, Werderi në plejaut do të luajë me vendin e tretë të Bundesligës 2.

Një gol dhe një asistim pati të shtunën për Fenerbahçen edhe sulmuesi tjetër i Kosovës, Vedat Muriqi. Ai shënoi në minutën e 70-të golin e epërsisë 1:0, derisa asistoi për golin e barazimit 2:2 në minutën e 90-të. Golin e fitores së Fenerbahçes që mposhti Malatyasporin 3:2 e shënoi në minutën e 95-të.

Për sulmuesin shtatlartë ishte goli i 15-të dhe asistimi i gjashtë në 28 paraqitje.

“Pavarësisht se cilin e kemi kundërshtar, synoj të shënoj gol. Fenerbahçe asnjëherë nuk heq dorë nga fitorja. Ne do të luftojmë për të fituar të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit”, ka thënë Muriqi.

Edhe Rashica përshëndetet me gol nga Bundesliga Sport Rashica përshëndetet me gol nga Bundesliga

Ndërkohë, mesfushori i “dardanëve” Herolind Shala ka vazhduar me paraqitje të mira në elitën e futbollit norvegjez, duke kontribuar me një asistim në fitoren e Valerengas 2:1 ndaj Vikingut. Ai asistoi të shtunën në golin e parë të minutës së 18-të.

“Jam shumë i lumtur me formën që po e kaloj, shpresoj të vazhdoj ta ndihmoj ekipin tim drejtë realizimit të synimeve”, ka thënë Shala për KOHËN.

Të premten me asistim e mbylli ndeshjen edhe mesfushori i krahut, Bernard Berisha. Ai asistoi për Akhmat Groznyn që barazoi 1:1 ndaj Sochit në elitën e futbollit të Rusisë.