Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Frikë nga dhuna në Marseille përpara ndeshjes me Frankfurtin në Champions

(AP) - Autoritetet në Marseille kanë urdhëruar një ndalim të pjesshëm të shitjes së alkoolit dhe kanë ndaluar tifozët e Frankfurtit të udhëtojnë individualisht, përpara ndeshjes me rrezikshmëri të lartë të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të martën mbrëma në “Stade Velodrome”.

Më pak se një javë pasi përleshjet e dhunshme të tifozëve prishën një ndeshje midis Nicet dhe Koelnit në Ligën e Konferencës, ardhja masive e mundshme e mijëra mbështetësve të Frankfurtit në jug të Francës, po ngre shqetësime të reja. Mbështetësve të Frankfurtit u janë ndarë 3300 bileta për ndeshjen me Olympique Marseillen, por klubi gjerman beson se deri në 5000 tifozë të tjerë pa bileta, mes tyre ultra problematikë, mund të bëjnë udhëtimin në qytetin e Marseillet.

Tifozët e pasionuar të Frankfurtit shpesh udhëtojnë në numër të madh dhe ata u përfshinë në përleshje sezonin e kaluar gjatë kampanjës triumfuese të skuadrës së tyre në Ligën e Evropës. Për të kufizuar rreziqet e dhunës, administrata rajonale e policisë për rajonin Bouches-du-Rhone në Francën jugore tha se shitja e pijeve alkoolike do të ndalohet në disa rrethe të qytetit të Marseillet, të martën nga ora 14:00 deri në fillimin e ndeshjes, në orën 21:00.

Duke vënë në dukje rrezikun se tifozët e Marseillet mund të përpiqen të sulmojnë tifozët e Frankfurtit që bredhin në grupe të vogla, policia urdhëroi që tifozët e Frankfurtit që udhëtojnë vetëm me autobusë zyrtarë nën shoqërimin e policisë. Vetëm ashtu do të lejohen të hyjnë në Velodrome dhe rrethinat e tij. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Marseillet në shtëpi në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Në xhiron e parë të fazës së grupeve, që u luajt javën e shkuar, Marseille pësoi në udhëtim nga skuadra e Tottenhamit me rezultatin 2:0. Marseille është pjesë e Grupit B.

Një seri incidentesh të dhunshme në stadiume sezonin e kaluar në ligën franceze ka bërë që autoritetet të marrin masa për të rritur sigurinë në tribuna, por edhe qytetin ku zhvillohet ndeshja. Incidentet e përsëritura, duke përfshirë kaosin në finalen e Ligës së Kampionëve mes Real Madridit e Liverpoolit, kanë ngritur shqetësime në Francë dhe jashtë saj në lidhje me aftësinë e shtetit për të organizuar ngjarje të mëdha sportive, veçanërisht përpara Kampionatit Botëror të ragbit vitin e ardhshëm dhe Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.