Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Franca në finale pas fitores dramatike ndaj Suedisë

Koha e rregullt kishte përfunduar dhe Suedia ishte duke udhëhequr 27:26. Franca e kishte vetëm edhe gjuajtjen e fundit. Elohim Prandi e mori përgjegjësinë për ta gjuajtur atë.

U zgjat në krahun e djathtë dhe goditi saktë për të barazuar rezultatin në 27:27 dhe për festën e madhe të francezëve.

Kështu ndeshja e parë gjysmëfinale e Kampionatit Evropian të hendbollit u vendos në kohën shtesë. Në dy vazhdimet nga pesë minuta francezët ishin shumë më të mirë dhe fituan me rezultatin 34:30 në fund.

Franca ishte duke udhëhequr 17:11 pas pjesës së parë. Por Suedia u kthye në pjesën e dytë dhe në minutat e fundit krijoi epërsi prej dy golash. Fundi megjithatë ishte shumë dramatik, ndërsa pas vazhdimeve në finale kaloi Franca.

Ndeshja u luajt në “Lanxess Arena” në Koeln të Gjermanisë në praninë e rreth 20 mijë shikuesve.