Trajneri Ilir Daja do ta nisë me ndryshime të vogla ndeshjen kthyese të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, kundër La Fioritas, në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.
Në portë do të jetë Damir Ljuljanoviq, i cili zëvendëson Stivi Frashërin që është në bankën rezervë.
Armend Thaqi është i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, bashkë me Lumbardh Dellovën në qendër. Tandem me Dellovën do të jetë Astrit Thaqi, ndërsa Leonit Abazi do ta nisë për herë të parë një ndeshje zyrtare nga fillimi me Ballkanin.
Në mesfushë, Meriton Korenica e kapiteni Edvin Kuq do të jenë përkrah Qëndrim Zybës, i cili erdhi te skuadra nga Suhareka këtë verë.
Albion Rrahmani do të jetë pika kryesore në sulm, dhe do të ndihmohet nga Nazmi Gripshi e Ermal Krasniqi.
Ballkani e fitoi ndeshjen e parë në San Marino me rezultat bindës 4:0. Kampioni i Kosovës është pothuajse me një këmbë në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, aty ku e pret fituesin e duelit mes Sutjeskas dhe Klaksvikut.