Kur Real Madridi shpenzoi më shumë se 140 milionë dollarë për anglezin Jude Bellingham, te skuadra spanjolle ishin të bindur se kishin gjetur trashëgimtarin e kroatit Luka Modriq në mesfushë për vitet në vijim. Në fakt, të 14-n herë kampioni i Evropës nuk kishte llogaritur që do të merrte edhe një golashënues serik. Bellingham debutoi për Real Madridin më pak se një muaj më parë, por lojtari 20-vjeçar duket se ka luajtur për ekipin e tij të ri shumë, shumë më përpara duke pasur parasysh ndikimin e tij në fushë.
Bellingham, i cili tani mban numrin 5 të zotëruar më parë nga Zinedine Zidane në fanellat e bardha të Real Madridit, ka shënuar në të tri ndeshjet që ekipi i ka luajtur këtë edicion në La Liga. Ai vulosi fitoren 2:0 në udhëtim tek Athletic Bilbao në debutimin e tij, shënoi dy herë në rikthimin 3:1 në Almeria dhe më pas drejtoi Realin drejt fitores së vonshme te Celta Vigo (1:0). Ky total prej katër golave të shënuara deri më tani e bën Bellinghamin golashënuesin më të mirë të ligës spanjolle.
“Bellingham është i çmendur”, pranoi mbrojtësi i Real Madridit, David Alaba, javën e kaluar. “Nuk di çfarë të them më shumë për të, jam pa fjalë”.
Me çdo gol të shënuar, të gjithë në ndeshjet jashtë, Bellingham iu afrua pjesës së tifozëve madrilen dhe ngriti krahët për të shijuar duartrokitjet e fuqishme të mbështetësve udhëtues të Real Madridit. Të shtunën Bellingham do të ndiejë dashurinë e tyre në stadiumin “Santiago Bernabeu” për herë të parë këtë edicion kur Real Madridi pret skuadrën e Getafes. Bellingham, i cili iu bashkua Real Madridit në këtë afat kalimtar të verës nga Borussia Dortmundi, shënoi tetë gola në 31 ndeshje të Bundesligës këtë edicion. Ai është në ritmin e duhur, jo vetëm për ta arritur por për ta kaluar këtë shifër të golave.
Bellingham dhe sulmuesi i krahut, Rodrygo, do të kenë edhe më shumë presion mbi supet e tyre për të shënuar gola pasi braziliani Vinicius Junior pësoi një dëmtim të muskulit në këmbën e tij të djathtë në ndeshjen në Bilbao. Real Madridi po ashtu nuk mund të llogarisë për një periudhë të gjatë as në portierin Thibaut Courtois dhe mbrojtësin Eder Militao shkaku i lëndimit. Getafe e mbajti Barcelonën në një barazim pa gola në ndeshjen e parë të këtij edicioni. Pas Barçës, Getafe u mposht në udhëtim te Girona 3:0, përpara se të triumfojë në shtëpi kundër Alavesit 1:0. Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, e di se mbrojtja e tij e disiplinuar do të testohet mirë nga reprezentuesi i Anglisë, Bellingham.
Edhe
Pse Bellinghami është “tre mesfushorë në një”?
“Ne e dinim edhe para se t’i bashkohet Realit se Bellingham ishte një lojtar i mrekullueshëm. Por, ai ka tejkaluar të gjitha parashikimet, ka dalë një transferim i jashtëzakonshëm”, pranoi Bordalas. “Shikoni vrapimet që bën, lëvizjen e tij, aftësinë e tij për t'iu bashkuar sulmit. Real Madridi mori një vendim të madh për nënshkrimin e tij, që po del të jetë më se i qëlluar”.
Aktualisht Real Madridi kryeson tabelën në La Liga me nëntë pikë të mbledhura, i ndjekur nga Barcelona e Atletico Madridi, ekipe që kanë nga dy pikë më pak pas tri ndeshjeve të luajtura deri më tani.