Seria prej nëntë fitoreve e Real Sociedadit do të vihet në provë në një arenë ku nuk ka pasur sukses në më shumë se tri dekada. Sociedadi përballet me Barcelonën në çerekfinalen e Kupës së Mbretit, të mërkurën në stadiumin “Camp Nou”. Sociedadi nuk ka fituar në këtë stadium që nga viti 1991.
Kjo skuadër ka humbur 26 ndeshje rresht në udhëtim kundër Barcelonës. Ka një barazim dhe 29 humbje në 30 ndeshjet e fundit me klubin katalonjas. Por mund të ketë më shumë shpresë se zakonisht përpara udhëtimit të Sociedadit në Barcelonë këtë herë.
Skuadra baske është një nga më të mirat në Spanjë këtë sezon me 21 fitore në 28 ndeshje në të gjitha garat. 13 nga ato fitore i ka arritur në udhëtim. Në total ka humbur vetëm katër herë. Sociedadi ka treguar se mund të paraqitet mirë kundër kundërshtarëve me emra të mëdhenj, në udhëtim. Ka mposhtur Manchester Unitedin në stadiumin “Old Trafford” në kuadër të Ligës së Evropës në shtator. Në rrugën drejt triumfit në Kupë në vitin 2020, Sociedadi mundi Real Madridin në çerekfinale në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
“Për të fituar në ‘Camp Nou’ ne duhet të kemi një natë fantastike”, pranoi trajneri i Sociedadit, Imanol Alguacil. “Është e vërtetë që nuk kemi fituar për një kohë të gjatë në atë stadium, por ne kemi nëntë fitore radhazi dhe të dhjetën duam ta regjistrojmë kundër Barcelonës”.
Sociedadi po udhëhiqet këtë edicion nga sulmuesi në formë Alex Sorloth dhe Robert Navarro, mesfushori 20-vjeçar që ka shënuar në secilin nga katër raundet e mëparshme të Kupës. Sorloth ka shënuar shtatë gola në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Lojtarë të tjerë që kanë lulëzuar te Sociedadi gjatë kësaj ecurie janë David Silva, Takefusa Kubo dhe Brais Mendez.
“Sociedadi ka një ekip të jashtëzakonshëm, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, tha trajneri i Barcelonës, Xavi, të martën. “Sociedadi ka bërë disa gjëra të mëdha dhe presim një ndeshje të vështirë”.
Për t’i ofruar Sociedadit më shumë shpresë për të fituar në “Camp Nou”, Barcelona u ndal dy herë në barazim në shtëpi në ligën spanjolle këtë sezon, në ndeshjen e parë kundër Rayo Vallecanos dhe ndaj Espanyolit në fund të vitit të kaluar. Ajo gjithashtu pati vështirësi në fitoren 1:0 kundër Getafes të dielën, kur mysafirët gati sa nuk befasuan.
Në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Barcelona barazoi 3:3 në “Camp Nou” me Interin dhe humbi 3:0 nga Bayerni në tetor.
Barcelona nuk ka humbur që nga ajo disfatë ndaj Bayernit, duke regjistruar tri barazime dhe tetë fitore. Një nga këto fitore erdhi kundër Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, ku Barcelona ngriti trofeun e parë që nga fitimi i Kupës në vitin 2021, përpara se Lionel Messi të largohej për t'u bashkuar me Paris Saint-Germainin.
Ndeshja Barcelona – Real Sociedad luhet prej orës 21:00.
Me shumë interesim pritet edhe çerekfinalja tjetër e Kupës së Spanjës mes Real Madridit dhe Atletico Madridit. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten mbrëma (21:00) në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Real Madridi po kërkon trofeun e parë të Kupës që nga viti 2014. Ndërkohë, Atletico, që e fitoi këtë garë në vitin 2013 duke e mposhtur në finale Realin, është kthyer në çerekfinale për herë të parë që nga sezoni 2017/18.