Sport

Fokusimi i FVK-së te volejbolli në rërë

Publikimi i fundit në faqen e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK) në Facebook përmban dy informata. E para është për pjesëmarrjen e kryetarit Bahri Gjinovci dhe sekretarit Valon Nikqi në Asamblenë e Përgjithshme të Konfederatës Evropiane të Volejbollit, ndërsa e dyta për prezencën e tyre në kongresin e Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB). Punimet e kongresit të FIVB-së nisin të premten dhe përfundojnë të dielën, ndërsa Asambleja e CEV-it u mbajt të enjten në Arnhem të Holandës.

Faqja e FVK-së në Facebook është e mbushur me njoftime, por së fundi dominojnë ato për volejbollin në rërë (beach volley). Ka vlerësime se volejbolli në rërë po merr vëmendje më shumë se volejbolli në palestër.

Sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, ka treguar për pjesëmarrjen e Kosovës në garat e “beach volley”.

Gjatë këtij viti janë mbajtur kampionatet për U18, U20, U22, seniorë si dhe mix-turneu në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Kosova më shumë ka qenë pjesëmarrëse në garat ndërkombëtare të volejbollit në rërë.

Ka marrë pjesë me të dyja gjinitë në Greqi, dy herë në Turqi pastaj në Holandë dhe Rumani. FVK-ja ka qenë pjesëmarrëse me U18, U20, U22 dhe seniorë. Janë gjithsej dhjetë aktivitete ku Kosova ka qenë pjesëmarrëse në volejbollin në rërë.

Nga FVK-ja janë vlerësuar arritjet në këto gara, ndonëse në disa kanë marrë pjesë pak shtete. Për shembull në qershor u organizua Kampionati Ballkanik në Turqi. Por Ballkaniku të paktën sa u takon volejbollisteve më shumë ka ngjarë me një garë të Turqisë. Gjashtë prej tetë ekipeve pjesëmarrëse ishin nga Turqia. Pos dyshes së Kosovës kanë garuar edhe dy rumune. Te volejbollistët ishin 15 ekipe, prej tyre nëntë nga Turqia. Ishte edhe ekipi i Kosovës e po ashtu dy ekipe nga Moldavia, dy nga Serbia dhe një nga Rumania. Vendi i dytë te femrat në Ballkanikun e dominuar nga ekipet turke, FVK-ja e pati cilësuar rezultat historik.

Sekretari Nikqi ka arsyetuar pjesëmarrjen e Kosovës në “beach volley”. Ai ka theksuar se qëllimi i Federatës është t’i ngrijë kapacitetet si në volejboll ashtu edhe në atë në rërë, që luhet me nga dy lojtarë në ekip. Por, Nikqi pranon se rezultatet më të mëdha i kanë në volejbollin në rërë.

“Për rezultate është dëshmuar. Kemi arritur rezultate shumë më shumë se në volejboll, qoftë në Evropë e sidomos në Ballkan. Gjithnjë kemi pasur aktivitete në ‘beach-volley’, por ku ta dish si është perceptuar. Ndoshta që është vera tash, por qëllimi ynë është t’ ngremë të dyja disiplinat paralelisht, pasi edhe ‘beach volley’ është sport olimpik. Është më pak i kushtueshëm, por edhe në volejboll kemi pasur aktivitete shumë”, ka thënë Nikqi për KOHËN.

Kosova nuk shënon ndonjë të arritur me asnjë gjeneratë në garat ndërkombëtare në volejboll. Pa arritje të mëdha janë edhe klubet kosovare.