Java e 25-të e Superligës së Kosovës në futboll ka vazhduar me dy ndeshje të luajtura të shtunën nga ora 17:00. Derisa Gjilani nuk ka lejuar befasi duke fituar 3:0 ndaj Vushtrrisë, Flamurtari ka shënuar fitore të madhe ndaj Drenicës në Skënderaj.
Ndeshja në Skënderaj përfundoi 2:1 në të mirë të skuadrës prishtinase.
Shend Kelmendi ka shënuar golin e parë të Flamurtarit në minutën e 40-të. Për 2:0 realizoi Adem Maliqi në minutën e 64-t. Fare në fund Alban Shillova realizoi golin e vetëm për Drenicën.
Fitorja i garanton Flamurtarit qëndrim jashtë zonës që dërgon në kategorinë e dytë, në fund të xhiros. Flamurtari është i teti me 32 pikë, kurse Trepça ’89 renditet e nënta me 27 pikë, por ka një ndeshje më pak. Skuadrat që renditen nga pozita e nëntë deri në atë të dymbëdhjetë (të fundit), largohen për në Ligën e Parë. Drenica është e shtata me 34 pikë.
Gjilani me fitoren 3:0 ndaj Vushtrrisë ka kaluar në vend të dytë me 48 pikë. Prinë Drita me 52 pikë.
Vushtrria është e parafundit (11) me 16 pikë dhe thuajse pa gjasa për ekzistencë në elitë.