Një tifoz i Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve mbante një fanellë të Paris Saint-Germainit me emrin e Kylian Mbappes dhe numrin e titujve evropianë që sulmuesi francez i ka fituar: Zero. Prapa në Spanjë, tifozët e Real Madridit që festonin titullin e 14-të evropian të ekipit vazhduan t'i kujtonin Mbappes se ai ndoshta kishte bërë një gabim duke mos iu bashkuar klubit të tyre. Real Madridi riktheu një pjesë të krenarisë së tij pasi u refuzua nga Mbappe, me një fitore ndaj Liverpoolit të shtunën, duke siguruar një tjetër trofe të Ligës së Kampionëve. Një javë më parë, klubi ishte zhytur në zhgënjim dhe duke u përpjekur të kuptonte pse u refuzua nga ylli i ri francez, i cili gjithmonë kishte thënë se ëndërronte të luante për Real Madridin.
“Sot Mbappe nuk ekziston”, tha presidenti i klubit madrilen, Florentino Pérez, pas fitores 1:0 të ekipit në “Stade de France”. “Sot bëhet fjalë për festimet e Real Madridit. Ajo që ndodhi me Mbappen është tashmë në të kaluarën. Është harruar”.
Perez u kritikua nga të gjithë me zë të lartë pasi nuk ishte në gjendje ta mbyllte marrëveshjen me sulmuesin francez, i cili kishte qenë i lirë të nënshkruante një parakontratë me klubin spanjoll. Real Madridi dhe tifozët e tij ishin të sigurt se Mbappe do t'i bashkohej klubit, por ai çuditërisht njoftoi një javë para finales së Ligës së Kampionëve se do të qëndronte me PSG-në. Klubi francez vitin e kaluar kishte refuzuar ofertën e Realit prej afro 200 milionë eurosh për lojtarin. Tifozët e tronditur të Real Madridit nuk e fshehën zhgënjimin e tyre. Turma që u mblodh në stadiumin “Santiago Bernabeu” për të parë finalen e së shtunës në një ekran të madh, ku krahas brohoritjeve për mbështetjen e klubit, pati edhe thirrje që sulmuan Mbappen. Të dielën, në pikën tradicionale të festimit, në sheshin “Cibeles” të klubit, kapiteni i skuadrës Marcelo u ndërpre teksa iu drejtua dhjetëra e mijëra tifozëve teksa ata filluan të këndonin këngë nënçmuese për Mbappen. Më shumë sulme ndaj Mbappes u dëgjuan më vonë të dielën në “Santiago Bernabeu”, ndërsa turma mirëpriti lojtarët në shtëpi për të festuar titullin e fundit evropian. Para finales, lojtarët e Real Madridit ishin përpjekur të mos flisnin për vendimin e Mbappes për të refuzuar klubin spanjoll, duke thënë se ata donin të qëndronin të fokusuar në ndeshjen kundër Liverpoolit. Lajmi për Mbappen kishte tërhequr shumë vëmendjen në Spanjë, duke lënë anash finalen e Championsit. Shoku i Mbappes te Përfaqësuesja e Francës, Karim Benzema, kishte thënë se nuk ishte koha për të folur për “gjëra të vogla” si transferimi i dështuar. Pas finales, Benzema tha se do të kishte dashur të luante me Mbappen te Reali, por vendimi i tij për të qëndruar me PSG-në duhej respektuar.
“Ne ende do të kënaqemi duke luajtur së bashku në ekipin kombëtar. Ne jemi miq të mirë, kjo nuk do të ndikojë në marrëdhënien tonë”, tha Benzema. “Secili është i lejuar të marrë vendimin e tij. Real Madridi është ende Real Madridi dhe kaq”.
Pasi Mbappe njoftoi vendimin e tij, Benzema dhe lojtarët e tjerë të Real Madridit ishin të shpejtë për të postuar mesazhe duke lavdëruar klubin spanjoll. Mbappe u përpoq të mos mbyllte asnjë derë me Real Madridin. Ai madje tha se do të bënte tifo për klubin madrilen në finalen e Ligës së Kampionëve. Tifozët e Madridit nuk donin të dëgjonin asgjë nga këto.
“Mbappe”, shkruhej në shenjën e një tifozi të Madridit, “do të pendoheni”.