Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fitorja ndaj San Marinos, obligim për Shqipërinë

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Eduardo Reja, nuk ka zbuluar nëse do të luajë lojë sulmuese ndaj San Marinos. Por, Reja të martën në konferencë për shtyp ka theksuar se San Marino nuk duhet të nënvlerësohet.

Shqipëria të mërkurën nga ora 20:45 do ta luajë në udhëtim ndeshjen e tretë kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.

“San Marino është një skuadër e organizuar, nuk e nënvlerësojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj se kemi shumë zgjidhje dhe mund t’iu them se në fushë do të futen lojtarët që janë më në formë. Modulin do ta vendosim duke u bazuar te lojtarët”, ka thënë Reja.

Përfaqësuesja kuqezi ndeshjen e parë kualifikuese e fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Andorrës. Më pas të dielën humbi nga Anglia në Tiranë me rezultatin 2:0.

Reja pret fitore ndaj San Marinos, që është përfaqësuese dukshëm më e vogël se ajo shqiptare.

Edhe Publikohet formacioni startues i Shqipërisë për ndeshjen me San Marinon Sport Publikohet formacioni startues i Shqipërisë për ndeshjen me San Marinon

“Pas një humbjeje është gjithmonë njësoj. Mund të them se bëmë një ndeshje të mirë ndaj një rivaleje si Anglia. Luajtëm mirë në mbrojtje. Nuk dolëm dot në lojën tonë, siç donim, pasi ishim përgatitur ndryshe, për t’i kapur në kundërsulme. Anglia nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe, por siç e dimë, ka lojtarë me kualitete dhe e zgjidhi ndeshjen”, është shprehur Reja.

Reja ka insistuar se nuk do të bëjë eksperimente brenda ekipit, ndërsa ka konfirmuar se Thomas Strakosha do të jetë në portë të mërkurën, derisa Florian Kamberi nuk do të jetë gati edhe për ndeshjen kundër San Marinos. Kamberi mungoi shkaku i lëndimit ndaj Anglisë.

“Kamberi u është nënshtruar analizave të ekografisë, nuk kishte gjë aty, por lojtari ka thënë se ndjente dhimbje. Nuk mund ta aktivizonim ndaj Anglisë, pasi kishte dhimbje. Lojtari është këtu me ne dhe do të kthehet te klubi, pasi nuk është në gjendje të luajë. Kam mundësi zgjedhjeje dhe do të luajnë lojtarët që janë gati. Strakosha do të jetë në portë nesër. E kam thënë edhe më parë, kur luan Berisha është ai kapiten, në të kundërtën shiritin e mban Hysaj. Për portën kam dy lojtarë të shkëlqyer dhe në formë, ta bëjnë të vështirë zgjedhjen. Të gjithë i kanë mundësitë për të luajtur, por mund të them se nuk kemi pasur mundësinë ditën e djeshme t’i shikoj lojtarët në stërvitje. Sot kam stërvitjen e plotë. Kam 23 lojtarë në të cilët mund të mbështetem. Do të flas edhe me doktorin për të parë gjendjen e lojtarëve. Nuk do të bëj eksperimente”, ka deklaruar trajneri italian.

Reja nuk ka preferuar të jetë i hapur edhe kur është pyetur se cilët lojtarë do t’i aktivizojë në fazën e sulmit.

“Unë kam katër lojtarë për sulmin dhe sigurisht them që do të zgjedh ata që janë më në formë. Do t’i shikoj në stërvitje dhe do të marr një vendim. Në ndeshje të tilla, ndonjëherë edhe lojtarët që vijnë nga stoli bëjnë shumë mirë, por e them edhe njëherë që do të luajë kush është më në formë”, ka deklaruar Reja.

Shqipëria të martën e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër San Marinos, përfaqësuese që synon ta mposhtë të mërkurën mbrëma. Shqipëria është në vendin e katërt pas dy ndeshjeve, me tri pikë të fituara ndaj Andorrës.

Në Grupin I bashkë me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon, janë edhe Polonia dhe Hungaria. San Marino pësoi 5:0 nga Anglia dhe 3:0 nga Hungaria. Është e fundit në grup.

“Kemi rënë në një grup shumë të vështirë, por jemi një skuadër që po rritemi dhe mund të bëjmë mirë. E kemi treguar që jemi rritur, duhet ta tregojmë ndaj Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë, por është eksperiencë që do të na vlejë për të ardhmen. Pas 35 vjetësh eksperiencë vendosa të marr një pauzë, por nuk thashë që do të tërhiqem nga futbolli. Klubi është një gjë shumë stresuese, ndryshe nga Kombëtarja. Kam pasur oferta nga klubet, por i kam refuzuar. Kisha ofertë nga Shqipëria, pranova. Shqiptarët e duan shumë Italinë dhe ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Reja.

Edhe Reja: San Marino kundërshtar aspak i lehtë Sport Reja: San Marino kundërshtar aspak i lehtë

Pavarësisht humbjes që pësoi Shqipëria ndaj Anglisë, Elseid Hysaj u shfaq i buzëqeshur dhe optimist para ndeshjes ndaj San Marinos.

“Humbëm me Anglinë, nuk na bëri shumë përshtypje. E dinim që ishte ndeshje e vështirë. Nëse bënim mrekulli do të ishte shumë mirë. Kemi menduar për Andorrën dhe San Marinon si ndeshjet më të rëndësishme, kurse për Anglinë të gjithë ëndërronin të luanin dhe rezultati nuk dihej. Me Andorrën dhe San Marinon nuk duhen lënë pikë, duhet të bëjmë maksimumin me çdo ekip. Me Anglinë kishim rastet tona, por nuk i shfrytëzuam. Me dy ekipet më lart duhet të shënojmë dhe të vazhdojmë të konkurrojmë për kualifikimin. Duhet vlerësuar maksimalisht kjo ndeshje”, ka thënë Hysaj, që në mungesë të Etrit Berishës do ta bartë shiritin e kapitenit ndaj San Marinos.