Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fitorja e parë në Botëror e bën të vlefshme pritjen e gjatë të Kepit të Gjelbër

Pas fitores së parë në histori të vendit, Will Tavares u bë emocional pasi e mendoi rrugëtimin e përfaqësueses së Kepit të Gjelbër deri te paraqitja e parë në Kupën e Botës në basketboll.

Kepi i Gjelbër është njëra prej katër përfaqësueseve debutuese në Botëror, ndërsa fundori 28-vjeçar ka kujtuar të gjitha vështirësitë dhe pengesat që si ekip i kanë kaluar për të arritur ku janë tani.

“Mund të fillojë nga koha e pandemisë. Fluturime të gjata. Lojtarë të infektuar. Paraqitja me gjashtë lojtarë në Kamerun. Ishte rrugëtim shumë, shumë i gjatë”, ka thënë Tavares për “fiba.com”.

“Peshkaqenët blu” kanë luajtur të hënën ndeshjen e dytë në Kupën e Botës në basketboll. Dhe u dhanë njerëzve në Kepin e Gjelbër arsye të madhe për të festuar. E mposhtën Venezuelën me rezultat 81:75. Është fitorja e parë në Botëror për Kepin e Gjelbër.

Me fitore gjasat e kësaj përfaqësueseje për të kaluar në raundin e dytë mbesin gjallë. Për lojtarët është me shumë rëndësi që u kalua një pengesë e madhe.

“Po ndihem sikur jam në ëndërr aktualisht”, ka thënë Tavares, që shënoi 10 prej 20 pikëve të tij në çerekun e katërt. Kepi i Gjelbër bëri rikthim të madh. Ishte në disavantazh prej 13 pikëve.

Kepi i Gjelbër është vendi më i vogël që ka luajtur ndonjëherë në Kupën e Botës. Dhe tani ka edhe fitore. Kepi i Gjelbër ka popullsi prej vetëm 560 mijë njerëzve.

“Fitorja ishte shumë e madhe për vendin tonë dhe për familjet tona”, ka vazhduar basketbollisti. “Kemi dëshmuar që ndonëse jemi vend i vogël, kemi zemër të madhe dhe luajmë fuqishëm”, ka shtuar Tavares.

Qartë se rrugëtimi ia ka vlejtur. Dhe ai vazhdon.

Kepin e Gjelbër e pret punë shumë e vështirë në ndeshjen e tretë. Do ta ketë përballë Slloveninë pas dy ditësh. Në ndeshjen e parë pësoi 85:60 nga Gjeorgjia. Gjasat për avancim nuk janë të mëdha, por te kjo përfaqësuese e vogël tashmë mund të ëndërrojnë.

Artikuj të ngjashëm