Mediumi i madh britanik, “The Guardian”, ka botuar një artikull ku flet për 4 pikat kyçe të kombëtares angleze të futbollit.
Ndër të tjera ka zgjedhur edhe përballjen me Kosovën dhe thotë se është e çuditshme pse Federata Angleze vendosi që ndeshja me Kosovën të luhet në stadiumin St Mary’s e jo në Wembley.
“Shumë njerëz u habitën kur Federata Angleze njoftoi se Anglia do ta presë Kosovën në St Mary’s, në vend të Wembleyt, në shtator. A s’po ju duket mjaft ndeshje e denjë përballja me skuadrën e Bernard Challandesit, a? Askush me mendje të shëndoshë nuk do t’i nënvlerësojë ata në fushë: fitorja 3-2 në Bullgari, e arritur me golin me kokë të Elbasan Rashanit në minutën e ’92-të mes festës së çmendur, e çoi Kosovën në 14 ndeshje pa humbje”, shkruan “The Guardian”, transmeton Koha.net.
Gazeta thotë se Kosova, më së paku, do të luftojë me Republikën Çeke për vendin e dytë në Grupin A.
“Skuadra e Challandesit po dominon me posedim të topit dhe në Sofje fitoi pavarësisht se i mungonte Arbër Zeneli i lënduar, një prej dy krahëve me top-cilësi; tjetri, Milot Rashica, realizoi një gol dhe një asist në ndeshje”, shkruan më tej gazeta britanike.
Në fund, gazeta thotë se ndoshta është herët që Kosova të mbushë stadiumin kombëtar anglez, Wembley, “por është vështirë të gjesh për momentin një ekip ndërkombëtar që kënaq tifozët më shumë”.