Kosova e ka shënuar fitoren e parë në kuadër të Kampionatit Evropian të basketbollit për grupmoshën U20, Divizioni B.
Të martën pasdite në Shkup, Kosova U20 fitoi ndaj Azerbajxhanit U20 me rezultat 75:71. Fitorja ishte shumë e vështirë dhe u sigurua vetëm në sekondat e fundit.
Pas çerekut të parë të barabartë, 18:18, Kosova dominoi plotësisht në çerekun e dytë, duke e fituar 21:11. Basketbollistët e rinj të Kosovës e mbajtën epërsinë edhe në çerekun e tretë, të cilin Azerbajxhani e fitoi 20:18.
Tetë minuta para fundit, Kosova kishte epërsi prej 11 pikësh, 64:53. Më pas Azerbajxhani luajti më mirë dhe u afrua në 68:67. Më pas Kosova shënoi për 70:67, ndërsa Bardh Istrefi realizoi për 72:67. Më pas azerbajxhanasit u afruan në 72:71, ndërsa 11 sekonda para fundit, Visar Ejupi realizoi një gjuajtje të lirë për 73:71. Kosova shkaktoi faul, gjashtë sekonda para fundit. Roderick Boyd Anderson huqi të dy gjuajtjet dhe kështu sfida u vendos. Fare në fund, Ejupi i realizoi edhe dy gjuajtje të lira për rezultatin përfundimtar, 75:71.
Visar Ejupi ishte më i miri te Kosova me 28 pikë e nëntë kërcime. Olsi Kurtaj i kishte 14 pikë e tetë kërcime.
Tek Azerbajxhani u dallua Anderson me 31 pikë e nëntë kërcime.
Edhe
Hendboll, Kosova U20 e treta në Evropianin B në Prishtinë
Kosova U20 tani ka dy fitore e një humbje. Ka pësuar 80:70 nga Gjeorgjia dhe 84:76 nga Suedia. Ndërkohë, Azerbajxhani kishte pësuar 102:50 nga Suedia dhe 94:57 nga Ukraina. Rrjedhimisht, Kosova ishte favorite, por te fitorja arriti me shumë mund.
Në kuadër të Grupit C të Evropianit U20 të Divizionit B, Kosova të mërkurën prej orës 13:30 luan me Ukrainën. Për Kosovën është ndeshja e fundit në grup, ndërsa më pas luan për plasman.