Bashkimi ka shënuar fitore të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll. Të shtunën mbrëma në Prizren, Bashkimi e mposhti Vëllaznimin e Gjakovës me rezultat 78:64.
Ndeshja i takoi xhiros së 16-të të elitës së basketbollit kosovar. Skuadra prizrenase ishte pa fitore në pesë ndeshjet e kaluara. Ndërkohë Vëllaznimi e pësoi humbjen e tretë rresht.
Gjakovarët e dominuan periudhën e parë (20:13), por vendasit u kthyen në të dytën (26:15). Shkëputja e Bashkimit vazhdoi në çerekun e tretë (22:13), ndërsa çereku i katërt ishte i barabartë (17:16). Erik Copes udhëhoqi Bashkimin me 23 pikë e shtatë kërcime. Eduard Hazners i kishte 13 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Isiah Umipig i kishte nëntë pikë e 11 asistime. Te Vëllaznimi më i miri ishte Samuel Sessoms me 18 pikë, shtatë asistime e pesë kërcime.
Vëllaznimi tani ka shtatë fitore e nëntë humbje. Ndërkohë Bashkimi ka pesë fitore e 11 humbje.