Basketbollisti i Prishtinës, Fisnik Rugova është i bindur se skuadra e tij sonte do të shënojë fitore në “Sezai Surroi” ndaj Bashkimit.
Prishtinasit humbën ndeshjen e parë finale në shtëpi ndaj klubit nga Prizreni me dhjetë pikë diferencë, 66-76.
Qendra e Prishtinës, Fisnik Rugova është optimist për ndeshjen e dytë, që luhet sonte nga ora 19:00. Ai insiston se bardhekaltrit në asnjë mënyrë nuk do t’i përsërisin gabimet e ndeshjes së parë.
“Përfundimisht, në Prizren do të bëjmë një lojë shumë më të mirë dhe do të bëjmë të pamundurën që të kthehemi në Prishtinë me fitore, me të cilën do të barazonim serinë e ndeshjeve finale”, është shprehur Rugova për Koha Ditore. “Jam i bindur se nuk do t'i përsëritim gabimet e ndeshjes së parë, pasi fitorja në ndeshjen e dytë është më se e domosdoshme, duke pasur parasysh se pas kupës e duam edhe titullin e kampionit”.