Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fiorentina shmang vazhdimet dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Fiorentina ka shmangur për pak vazhdimet në duelin kthyes të çerekfinales së Ligës së Konferencës dhe është kualifikuar në gjysmëfinale të kësaj gare.

Skuadra italiane të enjten mbrëma u mposht në shtëpi nga Lech Poznani 3:2, por fitorja 4:1 në ndeshjen e parë të luajtur në Poloni, ka bërë që Fiorentina të kualifikohet tutje.

Afonso Sousa në minutën e nëntë Kristoffer Velde në minutën e 64-t dhe Artur Sobiech pesë minuta më vonë, shënuan për epërsinë 3:0 të mysafirëve.

Por ishte Riccardo Sottil në minutën e 78-të ai që shënoi për 1:3, kurse Gaetano Castrovilli vulosi rezultatin përfundimtar, 2:3.

Fiorentina kualifikohet në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 6:4. Në gjysmëfinale luan me fituesin e duelit Basel – Nice.