Sport

Fillon seminari i parë i FIFA-s në Kosovë

Për herë të parë në Kosovë organizohet seminar nga FIFA për gjyqtarët dhe vëzhguesit e futbollit.

Nga 1 deri më 5 gusht, 40 gjyqtarët e Superligës dhe disa të Ligës së Parë do të kenë mundësi të mësojnë shumë gjëra nga instruktori, Alan Snoddy, i cili në të kaluarën ka qenë gjyqtar dhe kontrollor në nivelet më të larta të futbollit evropian e botëror.

Ai ka deklaruar se ndihet i nderuar që përvojën e tij po e sjell për herë të parë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të presidentit dhe sekretarit të FIFA-s, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj suksese. Është kënaqësi dhe nder për mua që jam këtu. Gjatë pesë ditëve, do të mësoni shumë gjëra dhe ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë, mbështesim dhe në fund do të japim një vlerësim për nivelin e gjykimit. Kosova nuk dallon shumë nga vendet e tjera, por vetëm duhet punë e mësime dhe mund të arrihet gjithçka. Edhe unë kam gabuar, por qëllimi është të mënjanohen gabimet, pasi 100 për qind është e pamundur të eliminohen”, ka thënë ai.

I pranishëm në hapje të seminarit ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për gjyqtarët kosovarë.

Edhe kryetari i shoqatës së gjyqtarëve të futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, e ka vlerësuar si një moment të madh mbajtjen e seminarit në Prishtinë.

Vlerësimi i gjyqtarëve, Kriteret e vlerësimit, Integriteti i zyrtarëve të ndeshjes, Incidentet kryesore në ndeshje dhe Ndryshimet e Rregullave të Lojës 2017/18, kanë qenë temat që janë ligjëruar nga Snoddy në ditën e parë, kurse tema “Ora e fitnesit Polar dhe Protokollet e trajnimit” është ligjëruar nga Simon Breivik.

Në ditën e dytë të seminarit do të mbahen testet fizike për gjyqtarë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Seminari do të përfundojë më 5 gusht.