Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FIFPro kërkon të pezullohet futbolli në Bjellorusi

Foto: Reuters

Asociacioni Botëror i Futbollistëve Profesionistë (FIFPRO) ka bërë thirrje që të pezullohen ndeshjet e futbollit në Bjellorusi.

Bjellorusi është vendi i vetëm në Evropë ku po luhen ndeshjet e ligës së parë. Nëntë ndeshje janë paraparë të luhen në Premier Leaguen e Bjellorusisë këtë fundjavë. Ndeshjet po luhen me shikues.

“Ne apelojmë që të merren masa të ngjashme të kujdesit që janë marrë nga federatat tjera të futbollit. Nuk është e kuptueshme se si mund të vazhdohet kjo. Pse standardet atje duken aq më ndryshe nga standardet e vendeve me të cilat ndanë kufirin, nuk besoj se dikush mund të shpjegoj këtë. Çdo gjë na thotë se ata duhet të aplikojnë standardet e njëjta dhe ne do të lobojmë në këtë aspekt. Po, ka lojtarë që po na kontaktojnë dhe janë të shqetësuar”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FIFPro, Jonas Baer-Hoffmann, njofton BBC, transmeton Koha.net.

Popullariteti i ligës është rritur dukshëm, ku Federata e Futbollit të Bjellorusisë ka siguruar marrëveshje transmetimi me rrjete televizive në dhjetë vende, përfshirë Rusi, Izrael e Indi.

FIFPro nuk ka ndonjë anëtarë në Bjellorusi, por po lobon në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) dhe atë Evropiane (UEFA) për këtë çështje.

Të shtunën, derbi mes FC Minsk dhe Dinamo Minsk u shikua nga 1750 tifozë në kryeqendrën e Bjellorusisë.

Në kampionatin e Bjellorusisë luajnë Azdren Llullaku te Shakhter Soligors dhe Elis Bakaj te Dynamo Brest.