Mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, pritet të largohet nga Zuerichu, ka shkruar “nau.ch” të dielën. Aliti nuk ishte fare i përfshirë në ndeshjen e parë të edicionit të ri, që Zuerichu po e luan ndaj Yverdonit. Aliti ka dy vjet që është te Zuerichu dhe ka fituar titullin e kampionit me këtë skuadër.
“Është njoftuar se mbrojtësi do të largohet dhe është në negociata me një klub tjetër. Kështu paraqitja në ndeshje do të ishte një rrezik i panevojshëm për të gjitha palët. Fidan Aliti ishte një prej lojtarëve të rregullt në kampionatin e kaluar. Ka luajtur në 29 ndeshje”, ka shkruar sajti zviceran “nau.ch”.
29-vjeçari Aliti për Kosovën i ka 39 ndeshje. Ka luajtur edhe për Kalmarin në Suedi, Skënderbeun në Shqipëri, Slaven Belupon në Kroaci, Sheriff Tiraspolin në Moldavi dhe disa skuadra tjera në Zvicër.