Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FHK-ja çmon kontributin e Ramadanit

Federata e Hendbollit të Kosovës ka thënë se kontributi i Taip Ramadanit për të ngritur Përfaqësuesen e Kosovës do të çmohet gjithnjë.

Ramadani, në pamundësi që të udhëtojë nga Australia, ka paraqitur dorëheqjen, e cila i është miratuar nga Bordi i FHK-së këtë javë. Në emër të tij është emëruar Bujar Qerimi.

“Kontributi i Ramadanit për ngritjen e Kombëtares së Kosovës do të çmohet gjithnjë nga Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit. Ndonëse në Australi, Ramadani ka përcjellë gjitha zhvillimet në hendbollin e Kosovës dhe hendbollin shqiptar në përgjithësi. I afërt dhe bashkëpunues me të gjithë, në veçanti me lojtarët dhe stafin, Ramadani ka kontribuuar për rritjen e profesionalizmit në Kombëtaren tonë. Përmirësimi i rezultateve në periudhën e tij është i pamohueshëm. Kemi mposhtur Izraelin në kualifikime për Evropian dhe morëm një barazim me shije të fitores ndaj Polonisë. Në kualifikime për Botëror kemi mposhtur Gjeorgjinë dhe morëm barazim me Italinë. Ka edhe rezultate e ndeshje tjera që dëshmojnë rritjen e Kombëtares së Kosovës. Mbi të gjitha Kombëtarja është e konsoliduar dhe me selektorin e ri, Bujar Qerimi synon hapa tutje”, thuhet nga FHK-ja.

Vlerësim të lartë për Ramadani ka edhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.

“Në emër të Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës e falënderoj selektorin e deritashëm, Taip Ramadani, për kontributin shumëvjeçar dhe për sukseset të cilat i ka arritur së bashku me ekipin e tij. Mund të konstatohet se Taip Ramadani ka qenë një nga selektorët më profesionist dhe më të suksesshëm të hendbollit kosovar. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të kemi mundësi për një takim lamtumirës me Taipin”, ka thënë Saraçini.