Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhje sot në të cilën është biseduar për disa çështje.
Ndër to është thënë se po vazhdohet përgatitja që sa më parë të instalohet sistemi VAR, sistemi i video-ndihmës, që është vlerësuar se do të ishte ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave.
KE e FFK-së po ashtu u ka bërë thirrje klubeve dhe personave zyrtarë në ndeshje që të zbatohen me përpikmëri masat e IKSHPK-së për COVID-19.
“KE analizoi garat e deritashme të stinorit pranveror duke konstatuar, se me gjithë disa lëshime të vogla, ka një ngritje të cilësisë sikur edhe një rivalitet të mirë të skuadrave në suaza të “Fair-play”-t. KE analizoi edhe punën e deritashme të komisioneve dhe kërkoi nga to që të jenë në nivel të detyrave dhe syçelë në punën e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e garave. KE po vazhdon me përgatitjet që sa më parë të instalojë sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe në mbarëvajtjen e garave. KE iu bënë thirrje edhe njëherë klubeve dhe personave zyrtarë në ndeshje që në përpikëri t’i zbatojnë masat e Udhëzimit të IKSHPK-së për Covid 19 . KE diskutoi edhe për përkrahje në zhvillimin e futbollit të femrave që do të reflektonte dhe në ngritjen e Kombëtareve. Kështu që FFK-ja me një Projekt që e ka miratuar edhe UEFA do të vazhdojë mbështetjen e klubeve të femrave. KE shqyrtoi dhe miratoi raportin e Auditorit të pavarur dhe pasqyrat financiare për vitin 2020. KE mori vendim që Kuvendi i rregullt i punës të mbahet më 8 prill 2021”, thuhet në njoftimin e FFK-së.