Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se të gjitha ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë janë shtyrë për mesjavë, edhe pse paraprakisht vetë FFK-ja postoi në uebfaqe orarin e ndeshjeve.
Madje kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në një përgjigje për KOHËN, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e veprimtarive në gjithë vendin në fundjavë, të premten u deklarua se garat në futboll do të vazhdojnë, por duke iu përmbajtur masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. “Futbolli garat do t’i vazhdojë në të gjitha gjeneratat, por duke iu përmbajtur edhe më strikt masave, siç janë: mbajtja e distancës, matja e temperaturës dhe gjërat e tjera që janë në manual. Besoj se këtë e kanë të gjithë parasysh dhe se garat në futboll do të vazhdojnë”, kishte thënë Ademi për KOHËN.
Megjithatë, FFK-ja në mbrëmje, ka njoftuar se aktivitetet e futbollit shtyhen për mesjavë pas vendimit për karantinim të shtatë qyteteve.
“Në fakt, me vendimin e ri të Qeverisë aktivitetet e futbollit nuk janë ndërprerë, por FFK e ka vlerësuar si të nevojshme shtyrjen e ndeshjeve të kësaj fundjave, duke pasur parasysh karantimin e 7 qyteteve për fundjavë si masë për menaxhimin më të mirë të situatës me Covid-19 dhe me qëllim të lehtësimit të gjërave për klubet dhe zyrtarët e ndeshjeve, të cilët do të mund të hasnin në pengesa gjatë udhëtimit të tyre për ndeshje në qytetet e karantinuara. Kësisoj, garat do të vazhdojnë në mesjavën e ardhshme për çka klubet do të njoftohen me kohë nga komisionet përkatëse për orarin e ri të ndeshjeve”, thuhet në reagimin e FFK-së në mbrëmje.
Xhiroja e 12-të e Superligës së Kosovës planifikohej të niste të shtunën dhe të mbyllej të hënën. Të dielën ishte paraparë të luhen tri ndeshje.
-
FFK-ja kërkon të mos neglizhohen punët në “Adem Jashari”
-
Më 5 shkurt Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi kërkon edhe një mandat
-
Më 27 korrik tërhiqet shorti për Superligën e Kosovës
-
Të dielën të gjitha ndeshjet e xhiros së 34-t në Superligën e Kosovës
-
Infantino uron FFK-në për 10-vjetorin e pranimit në FIFA