Dinamo e Ferizajt tashmë e ka luajtur ndeshjen e parë në Grupin A të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Barazoi pa gola me Vëllaznimin e Gjakovës. Të shtunën skuadra e Dinamos e luan ndeshjen e dytë në Grupin A të Ligës së Parë. Takohet në udhëtim me Suharekën.
Dinamo po detyrohet të luajë në Grupin A të Ligës së Parë. Në këtë klub vlerësojnë se u takon të luajnë në Grupin B. Kanë paraqitur ankesë lidhur me grupin se ku janë vendosur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Për më tepër rastin e kanë fituar. Por, vendimi nuk është zbatuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe kështu Dinamo vazhdon të jetë në Grupin A të Ligës së Parë.
Ishte Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (GJAS) që e vlerësoi të bazuar padinë e Dinamos ndaj FFK-së. Gjykata e obligojë FFK-në që Dinamon ta vendosë në Grupin B të Ligës së Parë. GJAS-i vlerësoi se sipas propozicioneve të garave të FFK-së, Dinamos i takon të garojë në Grupin B të Ligës së Parë. GJAS-i vlerësoi se FFK-ja ka bërë shkelje të kriterit territorial kur vendosi të ndante ekipet në grupet e Ligës së Parë.
Vendimi i GJAS-it ishte publikuar nga Dinamo më 17 gusht. Por FFK-ja nuk e ka zbatuar dhe Dinamo tri ditë më pas kishte nisur garën. Jo aty ku kishte vendosur Gjykata.
Lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës nga FFK-ja ka reaguar Këshilli për Arbitrazh Sportiv. Gjykata për Arbitrazh Sportiv funksionon në kuadër të këtij Këshilli. Ndërkohë KAS-i është organ i Komitetit Olimpik të Kosovës.
KAS-i ka mbajtur mbledhje të martën dhe KOK-u të enjten ka lëshuar një komunikatë të Këshillit. Në komunikatë shkruan se vendimi ishte i formës së prerë.
“Këshilli për Arbitrazh Sportiv (KAS) në mbledhjen e mbajtur më 22 gusht shqyrtoi rastin e moszbatimit të Vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (GJAS) nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në lidhje me padinë e KF Dinamo nga Ferizaj. Kjo situatë është e papranueshme, sepse KAS-i është organi më i lartë i gjyqësisë sportive në vend dhe ankesa/padia që hyn në kompetencë të KAS-it është mjeti i fundit jashtëzakonshëm juridik në vend. Vendimet e KAS-it, respektivisht GJAS-it, janë të formës së prerë dhe ankesa kundër këtyre vendimeve mund te parashtrohet vetëm ne Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë”, shkruan në komunikatën e KAS-it, të cilën e ka firmosur kryetari Eroll Salihu. Ai për kohë të gjatë ishte sekretar i përgjithshëm i FFK-së dhe vazhdon të ketë mospajtime të fuqishme me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi.
“Këshilli i Arbitrazhit Sportiv i bën thirrje Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e Vendimit të GJAS-it në lidhje me padinë e KF Dinamo nga Ferizaj kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe njëkohësisht të marr masa ndaj atyre që nuk e zbatuan vendimin e GJAS-it”, shkruan tutje në komunikatë.
Nga FFK-ja nuk ka pasur ndonjë njoftim apo qëndrim lidhur me vendimin e KAS-it. FFK-ja ka kohë që nuk përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë me situata më të ndjeshme.
Dinamo për herë të parë luan në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Në Ligën e Parë garon edhe klubi Ferizaj. Por në grupin B, aty ku ka kërkuar të jetë edhe Dinamo.
Dinamo e kishte vlerësuar triumf të drejtësisë vendimin e KAS-it. Por ka vazhduar të luajë në grupin ku e vendosi FFK-ja.