Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të hënën refuzoi të marrë përsipër barrën për dëmtimin e rëndë të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”.
Por përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë e ka pikërisht Federata e Futbollit.
KOHA të martën ka siguruar Memorandumin e Bashkëpunimit për shfrytëzimin dhe kujdesin e stadiumit “Fadil Vokrri”, të firmosur në mes të Komunës së Prishtinës, si pronare, dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, si shfrytëzuese dhe menaxhuese e stadiumit.
Memorandumi ishte nënshkruar më 30 dhjetor të vitit të kaluar dhe deri më tani ishte refuzuar të bëhej publik.
Në pikën 1.3 të nenit 3 shkruan qartë se FFK-ja obligohet “të mirëmbajë stadiumin e futbollit ‘Fadil Vokrri’ në kuptim të sigurimit të organizimit të mirëfilltë për lojërat e kombëtareve të Kosovës në futboll”.
Në nenin e njëjtë, që ka të bëjë me obligimet e FFK-së, shkruan se Federata “do të investojë në ndryshimin e barit të fushës së stadiumit në kuptim të shndërrimit të tij në fushë me bari hibrid, konform parametrave dhe standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s”.
Në marrëveshje, po ashtu, shkruan se FFK-ja ka për obligim “të kujdeset për stadiumin ‘Fadil Vokrri’ sipas kushteve të marrëveshjes, me kujdesin e zotit të shtëpisë”.
Kosova të dielën mbrëma luajti me Izraelin në “Fadil Vokrri” dhe fitoi 1:0. Por fitorja thuajse mbeti në hije për shkak të gjendjes shumë të keqe të fushës. Fusha ishte e mbuluar nga lloçi, ndërsa u rëndua edhe më shumë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Një lojtar i Izraelit e krahasoi atë me stallë derrash. Nga Izraeli kanë bërë pyetje se si është pranuar fusha për ndeshje të kualifikimeve. Edhe më herët nga përfaqësuese dhe skuadra të huaja ka pasur ankesa të shumta për gjendjen e fushës.
Reagime të shumta të hënën kishte edhe në Kosovë, nga figura të sportit e politikës. Pronare e stadiumit është Komuna e Prishtinës, ndërsa rindërtimi i plotë i objektit ishte bërë me para kryesisht të buxhetit të Kosovës, përkatësisht të MKRS-së. Por mirëmbajtja e tij nuk vlerësohet e duhura, ndërsa edhe ngarkesa vlerësohet shumë e madhe. Pos ekipeve përfaqësuese të Kosovës në stadium luajnë edhe Ballkani në Ligën e Konferencës e po ashtu Prishtina në Superligë.
Komuna, si pronare e stadiumit, ka hedhur përgjegjësinë për mirëmbajtjen te Federata e Futbollit, me të cilën ka marrëveshje deri në fund të vitit 2027. Kjo saktësohet pikërisht me memorandum.
Në hyrje të memorandumit thuhet se FFK-ja shfrytëzon linjë buxhetore nga UEFA dhe FIFA për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e stadiumit me kapacitet për të luajtur ndeshje ndërkombëtare.
“Përderisa FFK-ja është organizatë e vetme e licencuar nga UEFA dhe FIFA në Kosovë për t’i organizuar garat ndërkombëtare të ndeshjeve të futbollit të kombëtareve të Kosovës, e cila ka kapacitete dhe përkrahje nga UEFA dhe FIFA për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e stadiumit me kapacitet për të luajtur ndeshje ndërkombëtare”, shkruar në marrëveshje.
Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi i pranueshëm në Kosovë për ndeshje ndërkombëtare. Disa ndeshje të kategorive të reja janë luajtur edhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Prishtina është penguar të organizojë në disa raste ndeshjet e saj si vendëse në “Fadil Vokrri”. Pa dëshirën e saj është detyruar t’i luajë në qytete të tjera disa ndeshje kampionale. Sipas memorandumit, FFK-ja obligohet të vendosë bashkërisht me Komunën e Prishtinës lidhur me shfrytëzimin e stadiumit, me përjashtim të organizmit të ndeshjeve të përfaqësuesve dhe klubit të futbollit Prishtina, për të cilën siç shkruan, nuk kërkohet pëlqimi nga FFK.
“Në rast se shkaktohen dëme gjatë ndeshjeve të kombëtareve të Kosovës apo klubit Prishtina, secila palë (FFK-ja dhe klubi Prishtina) është e obliguar t’i rregullojë dhe kompensojë dëmet përkatëse në stadium”.
Federata në reagimin e saj të lëshuar të hënën ka shprehur gatishmëri për të hequr dorë nga menaxhimi i stadiumit në Prishtinë, nëse “vazhdohet me një neglizhencë të tillë të institucioneve ndaj këtij problemi”.
Në rast se FFK-ja kërkon shkëputjen e marrëveshjes, një gjë të tillë duhet ta bëjë gjashtë muaj më herët.
FFK-ja ka pranuar se gjendja e fushës vështirë do të përmirësohet së shpejti. Ka pranuar që e ka të pamundur ta mirëmbajë e vetme fushën, ndonëse me memorandum ka pranuar një përgjegjësi të tillë.
{gallery}