Federata e Futbollit të Kosovës të premten ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka paraqitur versionin e saj për rastin e Arianit Ahmetit. Ahmeti më parë ishte i punësuar në FFK, ndërsa një kohë kishte shprehur pretendime për të marrë drejtimin e Federatës.
FFK-ja ia ka shkëputur kontratën, ndërsa Inspektorati i Punës ka gjetur shkelje në vendimet e FFK-së që lidhen me këtë çështje.
“Ndaj Arianit Ahmetit organet e brendshme të FFK-së kanë marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës. Së fundi ne kemi pranuar një vendim nga Inspektorati i Punës, ku kërkohet nga FFK-ja që të rishqyrtojë edhe njëherë procedurën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së Ahmetit. Pra ka kërkuar vetëm të rishqyrtohet procedura, në asnjë rast Inspektorati nuk ka evidentuar që nuk ka bazë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Organet e brendshme të FFK-së, konform dispozitave të Ligjit të Punës, akteve të brendshme dhe vendimit të Inspektoratit të Punës, do të ndërmarrin veprimet ligjore në afatin e paraparë dhe do të informojnë Inspektoratin dhe palët në këtë procedurë’, thuhet në sqarim e Eroll Salihut, sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.