Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka reaguar e as nuk ka kthyer përgjigje për akuzat e rënda të ish-selektores së Kosovës (femrat), Afërdita Fazlija.
Fazlija të dielën në emisionin “Sporti Total” në KTV e ka vlerësuar tinëzare mënyrën e largimit të saj nga posti i përzgjedhëses. Ajo ka thënë se mënyra e largimit ia ka kujtuar masat e dhunshme të viteve ‘90.
KOHA gjatë javës së kaluar i ka bërë ftesë FFK-së që të dërgojë një përfaqësues në emision për t’u përballur me Fazlijën. Por FFK-ja nuk ka pranuar të jetë pjesë e emisionit.
KOHA edhe të hënën i ka shkruar FFK-së pas akuzave publike të Afërdita Fazlijës, që ishin për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi. Por Federata e Futbollit nuk ka kthyer përgjigje dhe ka bërë të qartë se nuk do të ketë një të tillë.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së javën e kaluar vendosi që mos t’ia vazhdojë kontratën selektores së deritashme.
“Mënyra tinëzare që e kanë bërë në mbledhjet e orëve të vona, për mua ka qenë e papranueshme dhe është e papranueshme moralisht, për arsye se pa dashje ose me dashje më janë kthyer ndjenjat e atyre shkarkimeve të cilat kanë ndodhur në vitet ‘90 kur kanë qenë masat e dhunshme. Atëherë mund të punoje gjithë ditën dhe diku në emision të lajmeve ta shohësh se je shkarkuar ose i gjithë ekipi është shkarkuar. Më vjen shumë keq pse ka ndodhur kështu. Jo vetëm për vete, më vjen keq prej lojtareve, shtabit, prej prindërve të lojtareve, sepse të them të drejtën në këtë rrugëtimin tim kanë një meritë të pazëvendësueshme vetë prindërit e vajzave”, ka thënë Fazlija.
Fazlija ka treguar se nuk ka pasur peshë për të çështja e pagesës. Ajo madje ka shtuar se Agim Ademi nuk lodhet për paratë e Federatës. Thotë se paga e saj ka qenë e barabartë me persona të cilët kanë shërbyer në mirëmbajtje apo sa e një përgjegjësi të gardërobave në FFK. Ka treguar se ka startuar me pagë prej 265 eurosh.
Fazlija e ka quajtur edhe gënjeshtar të parin e shtëpisë së futbollit kosovar.
“Nofka është ‘1 prilli’”, është shprehur Afërdia Fazlija, që është edhe zëvendësdrejtoreshë në Departamentin e Sportit në MKRS.
Fazlija ka folur edhe për grumbullimin e fundit të Përfaqësueses duke thënë se kryetari Ademi nuk i ka takuar lojtaret, ndonëse rrinte në hotelin e njëjtë.
“Kemi qëndruar 6-7 ditë në ‘Emerald’ në grumbullimin e fundit. Agim Ademi me disa zyrtarë të Federatës, ndoshta çdo ditë ose çdo të dytën ditë, kanë qenë në hotel. Asnjëherë nuk ka ardhur të na vizitojë. Asnjëherë nuk i ka ndarë pesë minuta të vijë te Kombëtarja e femrave. Jemi takuar në derë, i thashë: ‘O kryetar, a ka mundësi një premi për këto vajza, sepse po luajmë kundër Polonisë, kundër një superfuqie?’. Në vitin 2017 nëse nuk gaboj, na kanë mposhtur 5-6 me 0. Tha: ‘Çfarë premie, veç me bërë hajgare, janë dhjetë herë më të mira se ju’. Do të thotë ky ka qenë stimulimi. Kemi luajtur me Shqipërinë, ka ardhur në Shqipëri, e ka shikuar lojën dhe nuk është kthyer te ne”, ka deklaruar Fazlija.
Fazlija vlerësohet për ngritjen që ka pasur Përfaqësuesja e futbollisteve. Ajo në krye të Kosovës ka qenë prej vitit 2014. Vlerësohet edhe për kontributin në formimin e shumë klubeve të femrave në vend.
Ajo ka treguar arsyen pse nuk ka marrë vendim të tërhiqet nga Përfaqësuesja.
“Arsyeja kryesore (pse nuk jam tërhequr) ka qenë obligimi ndaj atyre vajzave, premtimi i atij programi para atyre prindërve të cilët kanë ardhur në Slloveni e Luksemburg e gjithkund. Dhe pjesa kryesore që nuk jam tërhequr kanë qenë problemet të cilat i ka pasur me ligj. As vetë Agim Ademi nuk beson që ende, sot, nuk është dorëzuar përpara drejtësisë. Kjo ka qenë arsyeja ime dhe e shumë njerëzve të cilët kanë qëndruar në Federatë të Futbollit. Të tërhiqem unë, me gjithë këtë mund e angazhim, e të qëndrojë ai? Po e them, çdo ditë, ose çdo grumbullim kemi menduar që mundet të jetë e fundit që ai të udhëheqë”, ka thënë Fazlija.
Ajo ka folur edhe për problemet me të cilat është ballafaquar bashkë me futbollistet. Ka treguar se Përfaqësuesja e femrave ka shfrytëzuar tutat e futbollistëve.
Për këto akuza e shumë të tjera në FFK kanë vendosur të mos deklarohen.