Afërdita Fazlija, ish-selektore e Kosovës në konkurrencën e femrave, ka theksuar të dielën në emisionin “Sporti Total” se vendimi për mos-vazhdimin e kontratës së saj, është vendim personal i Agim Ademit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ajo madje tha se nofka e Ademit është “1 prilli”.
“Bordi nuk ka pasur asnjë fakt, nuk e ka kërkuar asnjë raport tonin. Shumica e tyre besoj se nuk i kanë përcjellë shumë aktivitetet tona. Duke e njohur prej kohës, kur kam qenë nënkryetare e FFK-së, duke e njohur personalitetin e Agim Ademit, ai bën këso gjëra të turpshme. Të garantoj që vendimi është vendim personalisht i Agim Ademit, ndërsa është e dhimbshme kur një bord apo një Komitet Ekzekutiv i FFK-së, nënshtrohet në këso raste, në këso degradime që i bëhen njerëzve. E them pa modesti, kam qenë në gjitha periudhat një prej mbështetësve, një prej punëtoreve që nuk ka pasur rëndësi a është futboll i femrave apo i meshkujve, sidomos prej vitit 2000-2005. E pash rastësisht një ditë në uebfaqe të UEFA-s që Agim Ademin e shohin si nënkryetar të federatës prej vitit 2000”, tha fillimisht Fazlija.
“Ju respektoj shumë si televizion, por nofkën që ai e mban në opinion, të jep të kuptosh që merr këso lloj vendimesh. Nga vetë fakti që ai del dhe shkruan që prej vitit 2000 ka qenë nënkryetar i federatës, është një gënjeshtër e llojit të vet. Nofka është “1 prilli”. Të gjithë ata që e njohin futbollin dhe sportin e dinë që ajo është nofka e tij”, përfundoi Fazlija.
KOHA ka ftuar në emision edhe ndonjë përfaqësues të FFK-së, por Federata nuk është përgjigjur.