"Sonte, djema, mundohuni të na bëni krenarë ashtu si dje, si gjithmonë. Ne gjithmonë do të jemi me ju", ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në "Facebook" pak para se të vinte me të birin në stadiumin e Prishtinës "Fadil Vokrri" dhe të akomodohej në zonën VIP për të parë ndeshjen eliminatore për "Euro 2020" ndaj Bullgarisë, të hënën mbrëma (1:1).
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, po ashtu u dha kurajë lojtarëve para ndeshjes me mesazhin në "Facebook": "Me këmbë të mbarë, djema. Kosova!", e në stadium - natyrisht në zonën VIP - u paraqit me bashkëshorten dhe njërin prej fëmijëve. E kryeministri i vendit mesazhin inkurajues e lidhi me taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. "100% me ju! #ForcaKosova", ka shkruar Haradinaj në "Facebook", teksa ka shtuar edhe fotografi me bashkëshorten nga zona VIP, shkruan sot Koha Ditore.
Krerët e shtetit mund të jenë ndier pak sa ngushtë nga reagimet e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se zyrtarë të ndryshëm institucionalë po e teprojnë me kërkesa për bileta VIP.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")