Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar aktin e djegies së flamurit të Greqisë në sheshin e Prishtinës, pas ndeshjes Gjilani – APOEL, të enjten në Ligën e Evropës.
FFK-ja i ka quajtur të pandërgjegjshëm personat që kanë bërë këtë vepër.
Teksa ata thirreshin se përfaqësojnë grupin e tifozëve të Gjilanit, “Skifterat”, FFK-ja ka thënë se ky grup “deri tash nuk është shquar për akte të tilla apo për dhunë, andaj edhe individët që e kanë kryer këtë akt të turpshëm besojmë që nuk kanë lidhje me këtë grup të tifozëve”.
“Njëherësh, konsiderojmë se ky akt i shëmtuar nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe idealet e popullit tonë. Çdo sjellje e tillë është në kundërshtim me vlerat tona dhe ambicien për të qenë pjesë e familjes së shteteve demokratike evropiane. Me këtë rast, kërkojmë nga organet e rendit që të vihen në kërkim të individëve që e kanë kryer këtë akt të shëmtuar, i cili e prish imazhin e futbollit dhe të shtetit tonë”, thuhet në reagimin e FFK-së.
“Kosova është shndërruar në storie të suksesit dhe shembull për të mirë duke iu falënderuar paraqitjeve të shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, por edhe animit korrekt të tifozëve tanë ‘Dardanët’ në çdo ndeshje e stadium, prandaj është e patolerueshme të lejojmë të na ndodhin akte të tilla si kjo e mbrëmshmja dhe aq më parë nga individë që veten e quajnë tifozë futbolli”, ka thënë FFK-ja.
Kosova në shtator do të luajë me Greqinë në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Për këtë FFK-ja ka thënë se “edhe këtë herë do të dëshmojmë se jemi vend i vlerave sublime dhe popull mikpritës”.