Sport

FFK-ja ankohet për festën e futbollistëve serbë në Portugali, derisa në Kosovë vazhdojnë të formohen klube ilegale

Më 15 nëntor Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se do të ankohet në UEFA e FIFA për një veprim të futbollistëve të Serbisë. Gjatë festës pas fitores ndaj Portugalisë, futbollistët e Serbisë, sipas FFK-së, “janë shfaqur me fanella me mbishkrim irredentist nacionalist”.

Po më 15 nëntor, Federata e Futbollit e Kosovës, por edhe sistemi sportiv i shtetit të Kosovës, mori tjetër goditje nga brenda. Jo në Portugalinë e largët, por në Zubin Potok, në qytetin verior të Kosovës, vetëm 55 kilometra larg Prishtinës.

Federata ilegale e Futbollit e “Kosovës dhe Metohisë” formoi edhe një klub të futsallit (futbollit të sallës). “Kolashinac” (Kolashini) quhet klubi që pritet të garojë në sistemin sportiv të Serbisë, që ka shtrirje ilegale edhe në territorin e shtetit të Kosovës.

E ashtuquajtura Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë nuk po ndërpret aktivitetet, ndonëse është paralajmëruar nga një organ shtetëror i Kosovës. Përkundrazi, po vazhdon shtrirjen me themelimin e klubeve të reja. Aktualisht fokusi është te futsalli, ndërsa në javët e fundit janë formuar dy klube të reja.

“Sot në Zubin Potok, në praninë e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Metohisë, Igor Ulareviq, presidentit të Federatës sportive të Kosovës e Metohisë, Goran Kovaç, kryesisë dhe lojtarëve, është themeluar klubi i futbollit të vogël ‘Kolashinac’. Për kryetar është zgjedhur Aleksandar Peroviq, ndërsa klubi në edicionin e parë do të garojë në Ligën e futsallit të Kosovës e Metohisë”, thuhet në njoftimin që e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” e ka publikuar në faqen zyrtare në “facebook” më 15 nëntor.

Mbledhja, ku pretendohet se u themelua edhe një klub që do të garojë në sistemin sportiv të Serbisë, është mbajtur në një kafene. Të paktën fotografitë e publikuara e dëshmojnë këtë.

Kjo e ashtuquajtur federatë, më 5 nëntor njoftoi për formimin e një klubi edhe në Mitrovicë. Bëhet fjalë për klub të futsallit, emri i të cilit mund të vlerësohet edhe provokues.

“Klubi i sapoformuar i futbollit të vogël ‘Ujqërit nga Ibri’, Mitrovicë e Kosovës”, shkruan në njoftimin e shkurtër të publikuar më 5 nëntor. Kjo skuadër tashmë ka nisur me ndeshje. Të parën e ka luajtur ndaj skuadrës Leposaviqi 2018, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për nëntor është paralajmëruar fillimi i ligës së “Kosovës e Metohisë” në futsall, me pjesëmarrjen e katër skuadrave. Pos dy ekipeve të sapoformuara, është paralajmëruar pjesëmarrja e klubit “Tango 038” nga Uglari dhe Zveçanit. Ndeshjet e para janë në program më 28 nëntor.

Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar të FFK-së lidhur me aktivitetet e fundit të federatës ilegale, që tashmë ka formuar seleksionet e “Kosovës dhe Metohisë” për grupmoshat e reja. Pra ekipe të llojit të përfaqësueseve.

FFK-ja ka vendosur që të reagojë për një ngjarje dukshëm më publike e që në fakt e dëmton autoritetin e saj dukshëm më pak se aktivitetet në veri që kalojnë thuajse në heshtje.

“FFK konsideron se propagandimi i një kënge nacionaliste nga futbollistet e Kombëtares së Serbisë, në tekstin e të cilës përmenden dy qytete të vendeve fqinje të saj, Prizreni i Republikës së Kosovës dhe Rumja i Malit të Zi, është i papranueshëm. Ky gjest nxitës dhe nacionalist nuk përkon me vlerat evropiane, por thjesht është pjesë e ëndrrave dhe mendimeve shoviniste dhe irredentiste serbe. FFK-ja do të kërkojë me ngulm nga UEFA që të dënojë veprimet e tilla, që vijnë nga një ekip kombëtar i cili futbollin e shfrytëzon për propagandë të mendimeve të prapambetura”, thuhet në reagimin e FFK-së të 15 nëntorit.

Në fakt në muajt e fundit aktivitetet e federatave serbe në territorin e Kosovës janë limituar, si rrjedhojë e reagimit të autoriteteve të vendit. Një pjesë e klubeve nga veriu i Kosovës ndeshjet po i luajnë në qytetet e afërta në Serbi. Por ka ende aktivitete ilegale që zhvillohen në territorin e Kosovës.

Ishte Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive që kishte lëshuar një paralajmërim ndaj klubeve e organizatave që janë pjesë e sistemit paralel të Serbisë në territorin e Kosovës. Njoftimi ishte lëshuar më 26 tetor.

“Këshilli paralajmëron të gjitha klubet, që nuk janë pjesë e federatave nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive, do të jenë të detyruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku parashihen edhe sanksionet ndaj personave apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë paralajmërim jo shumë të qartë.

Por ai duket të mos jetë marrë shumë për bazë nga e ashtuquajtura Federata e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë.