Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK dënon Llapin, Batatinën e Isufin

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar Llapin, trajnerin e Llapit dhe të Dritës për problemet e shkaktuara në ndeshjen e xhiros së 28-të.

Llapi ishte mposhtur në shtëpi 1 me 3, me tifozët e klubit llapjan që kishin hyrë në fushë disa herë duke akuzuar lojtarët e skuadrës së vet për trukim të ndeshjes.

Llapi është dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve zyrtare të ardhshme si vendase pa praninë e tifozëve.

Trajneri Tahir Batatina është dënuar me 1000 euro për shkak të sjelljeve josportive duke “reaguar njëpasnjëshëm në vendimet e gjyqtarit kryesor, duke e shtrënguar për dore”.

Nga pala e Llapit është dënuar edhe Muhamet Rexhepi, përfaqësues i klubit, me tre muaj ndalesë të kryerjes së funksionit për shkak të reagimeve dhe sjelljeve josportive drejtuar gjyqtarit kryesor të takimit.

Nga ekipi i Dritës është dënuar kryetrajneri Bekim Isufi me 300 euro, për shkak të sjelljeve josportive. Ai ishte ndëshkuar edhe gjatë ndeshjes duke u përjashtuar nga hapësira teknike.