Për herë të parë Kosova dhe Shqipëria do ta kenë Ligën Unike të basketbollit. Të enjten, më 10 shtator, u bë nënshkrimi i marrëveshjes mes dy federatave, që u nënshkrua nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, dhe kryetari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
Për të parin e FBK-së, Arben Fetahu, misioni i ligës së përbashkët është që të rritet niveli i basketbollit dhe të bashkohen të gjitha klubet nga trojet shqiptare në një ligë të vetme.
“Ne e kemi pasur parasysh krijimin e kësaj gare që një kohë të gjatë. Dhe tani ka ardhur momenti që ta formojmë. Kemi pasur përkrahjen e duhur nga të gjitha institucionet dhe si vit i pandemisë besoj që do të kemi një garë më të përafërt dhe do t'u jepet mundësia lojtarëve vendorë që të tregojnë veten në këto ndeshje, që besoj se do të jenë tejet rivalizuese dhe interesante”, u shpreh Fetahu.
Klubet kanë hasur në vështirësi që të mobilizohen pas krizës financiare që e ka shkaktuar koronavirusi.
Prishtina, Peja, Rahoveci dhe Ylli pritet të garojnë në Ligën Unike, që planifikohet të nisë muajin tjetër.
Edhe
Në FBK të pakënaqur, të premten takimi vendimtar për Ligën Unike
Megjithatë, Rahoveci dhe Peja ende nuk e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Ligën Unike. Fetahu thotë se në rast se ekipet nuk do të jenë të gatshme, do të zëvendësohen me ekipe të tjera.
“Ajo çfarë ne kemi paraparë pas krijimit të kësaj lige të përbashkët është pjesëmarrja e ekipeve më të mira të ranguara në edicionin që lamë pas. Por kjo nuk do të thotë që do të marrin pjesë medoemos, në rast se nuk janë të gatshme të marrin pjesë në këtë garë. Ne kemi deleguar të gjitha ekipet të cilat kanë fituar të drejtën dhe të gjitha ekipet që do të jenë në gjendje të marrin pjesë. Shpresoj që katër skuadrat që kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën Unike të marrin pjesë, por nëse nuk arrijnë, atëherë FBK-ja do të caktojë ekipet që janë ranguar në pozitën e pestë apo të gjashtë në Superligë sezonin e shkuar”, potencoi Fetahu.