Feronikeli pati ndeshje shumë të mirë me TNS-në, por nuk pati fat që të sigurojë kalimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kështu kanë deklaruar trajneri i kampionit kosovar, Zekirija Ramadani, dhe mbrojtësi Yll Hoxha, pasi Feronikeli u mposht në shtëpi nga uellsianët 0 me 1, pas barazimit 2 me 2 në ndeshjen e parë.
Për KTV-në ata kanë thënë se skuadra kosovare pati angazhim shumë të madh dhe nëse ka paraqitje të tilla edhe në Ligën e Evropës, do të kalojë pa problem në fazat tjera.
“Nuk patëm fat sepse bëmë ndeshje shumë të mirë, me angazhim shumë të madh nga të gjithë futbollistët. Krijuam shumë raste por s’arritëm të konkretizojmë e kundërshtari me dy-tre raste erdhi te goli. Besoj shumë te skuadra jonë. Kam besim të madh. Presim që të shohim me kë do të përballemi në Ligën e Evropës”, ka thënë Hoxha.
“Duhet të presim nesër të shohim kush do të jetë kundërshtari jonë në Ligën e Evropës. Presim paraqitje të njëjtë sikur sonte. Nëse paraqitemi njëjtë jam i bindur se kemi mundësi të kalojmë edhe një rreth”, ka shtuar Ramadani.