Pas një sezoni të dështuar, Feronikeli është në kërkim të trajnerit që do ta kthejë skuadrën te trofetë.
Pas largimit të trajnerit Afrim Tovërlani, drejtimin e klubit e mori Ramiz Dervishi, i cili në krye të klubit ishte vetëm deri në fund të kampionatit, e me skuadrën nga Drenasi përfundoi në vendin e katërt me 65 pikë.
Mirëpo, tani fillimin e edicionit të ri, ish kampioni i Superligës kërkon që ta nisë me një trajner të ri.
Sipas burimeve të KTV-së brenda klubit bëhet e ditur se dy trajnerë janë kandidat për ta udhëhequr klubin.
I pari dhe më seriozi në këtë drejtim është trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli, që është preferenca e parë e “industrialistëve”. Sokoli mund t’i kthehet punës së trajnerit pasi ka qenë jashtë futbollit të Kosovës për më shumë se 1 vit.
Emri tjetër i përmendur për të marrë drejtimin e skuadrës është edhe Jeton Beqiri, i cili i është vetëofruar skuadrës nga Drenasi. Beqiri vitin e shkuar ishte për pak kohë edhe në krye të Shkëndijes së Tetovës.