Sport

Arbëria ndal edhe Niklin, mbetet e para

Arbëria e Dobrajës ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive, duke mbetur e pamposhtur edhe pas xhiros së katërt në Superligën e Kosovës në futboll. Arbëria të martën në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, ku i luan ndeshjet si vendase, barazoi pa gola me Feronikelin e Drenasit. Me pikën e fituar, Arbëria mbetet në krye të tabelës me tetë pikë të mbledhura, një më shumë se Ballkani që është i dyti dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Për Arbërinë kjo është ndeshja e dytë këtë edicion që barazon kundër skuadrave pretendete për titull. Para Feronikelit luajti baras edhe me Prishtinën derisa triumfoi ndaj Trepçës ’89 e Besës së Pejës. Feronikeli regjistroi barazimin e dytë rresht pas atij me Drenicën (2:2). Në tri ndeshjet e fundit, ish-kampioni i Kosovës ka arkëtuar vetëm dy pikë dhe është i treti në klasifikim me gjithsej pesë pikë të tubuara. Feronikeli e nisi mirë edicionin, me fitore të thellë ndaj Gjilanit (4:0) por ky mbetet triumfi i vetëm i ekipit nga Drenasi. Feronikeli e nisi shumë më mirë takimin e së martës dhe brenda 20 minutave i pati dy raste të mira shënimi. Fillimisht rrezikoi me sulmuesin Bedri Greca (12’) dhe pastaj me kapitenin Yll Hoxha (18’), por në të dyja rastet intervenoi gardiani i Arbërisë, Donat Kaçiu. Në pjesëlojën e dytë të dy skuadrat tentuan të shënojnë golin e fitores por nuk ia dolën. Te Arbëria ishin më të rrezikshme tentimet e Labinot Ibrahimit (52’) dhe Agron Bruqit (80’).

I pari gjuajti jashtë porte derisa gjuajtjen e të dytit e ndali pa problem portieri i Feronikelit, Ilir Avdyli. Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, pas ndeshjes tha se është shumë i kënaqur me barazimin dhe përgëzoj futbollistët e tij për angazhimin e treguar ndaj Feronikelit. Morina insistoi se synimi i Arbërisë është që të vazhdojë me këtë ecuri pozitive edhe në ndeshjet tjera, ndonëse takimin e radhës e luan në udhëtim kundër skuadrës së Gjilanit. Ndërkohë, Feronikeli e pret në shtëpi skuadrën e Dritës. “Jam i kënaqur me barazimin, por edhe me atë që ekipi ka treguar prej ndeshjes në ndeshje në këto xhirot e para, duke pasur parasysh se është një përvojë e re për Arbërinë që për herë të parë po luan në Superligë. Futbollistët edhe në këtë ndeshje i kryen detyrat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë i përgëzoj. Ekipi po angazhohet në çdo ndeshje dhe pres një angazhim të tillë edhe në vazhdim”, është shprehur Morina. “Ne po punojmë për të qenë sa më stabil dhe deri më tash kemi treguar seriozitetin me të cilin do të vazhdojmë deri në fund, përfshirë këtu edhe ndeshjen e radhës që e kemi me Gjilanin. I kemi disa ditë kohë për t’u bërë gati për këtë duel dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ecuri”.

Përballja ndërmjet Arbërisë dhe Feronikelit ishte e vetmja e të martës, në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo xhiro mbyllet të enjten me duelin në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit.

Të mërkurën (sot) zhvillohen tri ndeshje, përfshirë edhe derbin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë mes Llapit dhe Ballkanit. Llapi është në kërkim të pikëve të para këtë edicion pasi ka regjistruar dy humbje në po aq ndeshje të zhvilluara derisa Ballkani ka dy fitore dhe një barazim. Te Llapi janë të vendosur për ta fituar ndeshjen me Ballkanin, ndonëse e kanë vlerësuar si të vështirë. Ndeshja Llapi - Ballkani nis në orën 15:00 sikurse edhe ajo ndërmjet Trepçës ’89 e Prishtinës dhe Dritës e Besës së Pejës. “Ballkani e ka një ekip shumë të mirë dhe duhet ta respektojmë por sigurisht se synimi është që ta fitojmë këtë ndeshje, që nuk do të jetë aspak lehtë. Do të japim maksimumin për të ndalur pikët e plota që janë të rëndësishme për ekipin tonë”, është shprehur mesfushori i Llapit, Mentor Zhdrella.

{gallery}