Klubi i volejbollit Ferizaj e ka mbyllur në vendin e parë stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës (meshkujt).
“Kampion” është edhe për numrin e transferimeve të huaja për stinorin pranveror të Superligës. Ferizaj ka transferuar tre volejbollistë nga Brazili. Transferimin e Soares Veiga Quadros Olavo dhe Damasceno Amorim Samuel i ka përfunduar, ndërsa në proces të regjistrimit e ka edhe brazilianin tjetër, Sampaio de Oliveira Yuri.
Te klubi i Ferizajt presin ndihmë të madhe nga tre brazilianët në garën për titull të kampionit dhe për Kupë. Ferizaj është lider me 38 pikë, dy më shumë se përcjellësja e parë, Drita.
“Njëri prej brazilianëve do të na vijë të enjten, ndërsa dy të tjerët të premten. Bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe presim të na ndihmojnë në garën për titull dhe Kupë. Janë dy synimet e klubit për sivjet dhe nëse qëndrojmë mirë financiarisht do ta përfaqësojmë Kosovën në garat ndërkombëtare”, ka thënë menaxheri i klubit, Butrint Bytyçi. Ai është edhe lojtar i klubit Ferizaj.
Një brazilian e ka angazhuar edhe Luboteni. Bëhet fjalë për De Paula Ribeiro Rena. Luboteni ka angazhuar edhe lojtarin nga Maqedonia e Veriut, Habil Ajeti.
Me dy lojtarë të huaj është përforcuar edhe Peja, me bullgarin Ivan Tasev dhe turkun Kayhan Bati. Ndërsa Skënderbeu ka transferuar lojtarin nga Shqipëria, Klaudio Preka.
Te klubet e volejbollisteve janë bërë plot gjashtë kërkesa për regjistrim.
Drita është përforcuar me tri lojtare, brazilianen Telles Maeda Laisa, amerikanen Jale Hervey dhe Klonarda Nezajn e Shqipërisë.
Fer Volley e ka angazhuar brazilianen Apolinario Correa Daphinie Luisa, kurse Skenderaj mori meksikanen Mayra Garcia Golnzalez.
M-Technologie e ka përfunduar transferimin e turkes, Ilayda Gozen.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikçi, thotë se do të ketë rivalitet të madh deri në fund të edicionit.
“Ky afat kalimtar ka qenë më shumë për të huaj dhe vendorët që nuk kanë luajtur në pjesën vjeshtore. Ka pasur edhe në të kaluarën transferime, por jo kaq shumë. Shumë klube janë mobilizuar dhe me siguri do të ketë rivalitet të madh. Klubet janë forcuar edhe financiarisht përmes ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit”, ka thënë Nikçi.
Në afatin kalimtar, që përfundoi të hënën mbrëma, lëvizje ka pasur edhe nga volejbollistet e vendit. Janë plot 15 kërkesa për transferim, ndërsa te volejbollistët vetëm dy.