Lufta kryesore e ngjarjes të së shtunës, UFC 249, është për një titull të përkohshëm, por Tony Ferguson thotë se ai duhet të konsiderohet kampion i vërtetë nëse e mposhtë Justin Gaethjen.
Ish-mundësi Ferguson hynë në kafaz pas serisë prej 12 fitoreve. Ai është dashur të përballet me kampionin Khabib Nurmagomedov më 18 prill në Brooklyn, por ajo luftë është shtyrë për shkak të koronavirusit.
I pamposhturi Nurmagomedov, që është kthyer në Rusi, ishte dashur të përballej me Fergusonin edhe në katër raste më herët, por të gjitha përballjet janë anuluar për çështje të ndryshme.
Ferguson ka thënë se luftëtari nga Dagestani dhe ylli tjetër, Conor McGregor, duhet të pensionohen.
“Të vetmit burra të vërtetë atje do të jemi unë dhe Justin Gaethje”, ka thënë Ferguson para përballjes të së shtunës në Jacksonville.
Ferguson ka thënë se ngjarja UFC 249, që mbahet me procedura strikte të sigurisë dhe pa praninë e shikuesve në arenë, do të jetë shumë interesante për adhuruesit nëpër shtëpitë e tyre.
“Aktualisht nuk ka Olimpiadë, nuk ka Wimbledon, nuk ka draft të NBA-së, tenis, futboll, hokej e bejsboll. Në skenë jemi vetëm ne. Dhe ne do të japim më të mirën, do të mbajmë sportin gjallë”.
Nurmagomedov pritet të takohet me fituesin e luftës të së shtunës.
Seria prej 12 fitoreve e Fergusonit është rekorde për kategorinë e lehtë. Luftëtari nga Kalifornia ka mbajtur më herët titull të përkohshëm, ndërsa thotë se tani e meriton titullin e vërtetë.
“Kjo nuk është për titull të përkohshëm. Është për titull të vërtetë të kampionit”.
UFC-ja është seria kryesore e Arteve Marciale të Përziera.