Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Felixi huazohet te Chelsea, por rinovon kontratën me Atleticon

Sulmuesi i Portugalisë, Joao Felix iu bashkua Chelseat në formë huazimi nga Atletico Madridi të mërkurën në një marrëveshje që do ta mbajë atë në klubin e Premier Leagues deri në fund të sezonit. Felix, gjithashtu para se ta kompletojë huazimin te skuadra londineze, ka zgjatur kontratën e tij me Atleticon edhe për një vit tjetër, deri në qershor 2027.

“Chelsea është një nga skuadrat e mëdha në botë dhe shpresoj ta ndihmoj të arrijë objektivat që ka, kështu që jam shumë, shumë i lumtur që jam këtu dhe shumë i emocionuar për të luajtur në ‘Stamford Bridge’. Me padurim pres lojën time të parë”, tha lojtari gjatë prezantimit te Chelsea. Felix u bë lojtari i tretë më i shtrenjtë i të gjitha kohërave kur Atletico pagoi klauzolën e blerjes së tij prej 130 milionë eurosh në vitin 2019 për ta transferuar nga skuadra e Benficas. 23-vjeçari Felix këtë edicion e ka humbur vendin e titullarit nën drejtimin e trajnerit Diego Simeone, por Atletico sërish bëri një lëvizje për ta rinovuar kontratën e tij aktuale.

“Atletico Madridi i uron Joao Felixit çdo sukses në këtë fazë të re profesionale”, thuhej në njoftimin e klubit spanjoll.

Felixi do të shpresojë të rikthejë formën e tij më të mirë te Chelsea, ekip që ka pasur vështirësi në repartin e sulmit dhe një seri e rezultateve të dobëta kohët e fundit, e kanë futur nën presion trajnerin Graham Potter. Chelsea tani ka nënshkruar me katër lojtarë në afatin kalimtar të janarit – sulmuesin David Datro Fofana, mesfushorin Andrey Santos dhe mbrojtësin Benoit Badiashile – por Felix është deri tani profili më i lartë.

“Te Chelsea kanë luajtur shumë lojtarë të Portugalisë, Deco, Ricardo Carvalho, Raul Meireles e shumë të tjerë, por ka pasur edhe lojtarë të mëdhenj si Frank Lampard, Eden Hazard e Dider Drogba. Do të mundohem të jap më të mirën nga vetja për ta ndihmuar ekipin në çdo ndeshje”, ka shtuar Felix. “Jam i gatshëm për këtë aventurë dhe shpresoj ta kem edhe përkrahjen e madhe të tifozëve. Është kënaqësi të luaj në Premier League dhe unë jam lojtar që mund ta dëshmoj veten në këtë ligë”.

Edhe Felix mund të kthehet te Benfica Futboll Felix mund të kthehet te Benfica

Felix i shtohet gamës së madhe të opsioneve të sulmit që do ta ketë në dispozicion trajneri Potter, ndërsa për një vend titullari, do të konkurrojë me Raheem Sterlingun, Christian Pulishiqin, Pierre-Emerick Aubameyangun, Kai Havertzin dhe Hakim Ziyechun. Portugezi nuk i përmbushi kurrë plotësisht pritjet që erdhën së bashku me transferimin e tij të profilit të lartë në vitin 2019 për ta zëvendësuar Antoine Griezmannin, i cili ishte larguar nga Atletico për t'u bashkuar me Barcelonën. Më pas, ai u konsiderua nga shumë në Portugali si pasardhësi i Cristiano Ronaldos dhe tifozët e Atleticos prisnin që Felixi të bëhej një nga yjet më të mëdha të ekipit.

Sezoni i tij i parë i dobët u fajësua kryesisht për atë që kishte nevojë për më shumë kohë për t'u përshtatur për të luajtur në një ligë të lartë. Ai fitoi kampionatin e ligës spanjolle me Atleticon sezonin e ardhshëm, pavarësisht se luftoi me lëndimet dhe nuk kishte një rol kyç në kampanjën e titullit. Që atëherë, ai ka treguar paraqitje të mira, por nuk ka luajtur vazhdimisht në nivelin që fansat kishin shpresuar ta shihnin. Largimi i tij nga Atletico vjen mes raporteve se ai kishte shumë në mosmarrëveshje me trajnerin Simeone, i cili ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë problem me lojtarin. Aktualisht, Chelsea po lufton këtë sezon për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Zë vendin e dhjetë në tabelë me 25 pikë, dhjetë më pak se Manchester Unitedi që është i katërti.