Naim Fejzaj ka fituar tetë kurora lulesh në Festivalin e madh të mundjes që mbahet në Zvicër. Shtatë prej tyre i ka në festivalet e shoqatave kantonale ose zonave, ndërsa një në festivalet e degëve.
Fejzaj, megjithatë, ka një ëndërr më të madhe. Ai synon ta fitojë kurorën e Festivalit të Mundjes, që është edhe ngjarja më e madhe e këtij sporti të popullarizuar në Zvicër.
“Për ne është si Olimpiadë. Fituesi i kurorës është mbret i Zvicrës. E unë dua të bëhem i tillë”, ka thënë Fejzaj të dielën për KOHËN. Festivali i mundjes nxjerr edhe më të mirin.

“Ne fitojmë një kurorë që na vendosin në kokë. 15 % e më të mirëve të festivalit i fitojnë kurorat. Por duhet të fitosh pesë prej tetë luftërave. Në vitin 2016 nuk kam marrë kurorë, por atëherë ka qenë sukses i madh për mua, ndërsa tani dua ta fitoj kurorën”, ka treguar Fejzaj.
Fejzaj tregon se në vitin 2016 pati skepticizëm kur u shfaq për herë të parë në një arenë të mundjes. Suksesi i tij mbeti në plan të dytë. Më shumë u diskutua prejardhja e tij.
Fejzaj vitin e kaluar fitoi kurorën në festivalin që organizohet nga Federata e Mundjes e Zvicrës. Kurorë fitoi edhe në vitin 2017, 2016, 2015, 2014 dhe 2012. Suksesin më të madh e arriti në vitin 2016. Ai ishte afër për ta siguruar finalen e madhe. Pati mposhtur atëbotë mbretin e mundjes helvetike, Noeldi Forrer, ndërsa eliminoi edhe nëntë herë fituesin e Festivalit të Kurorës, Beat Vlopath. Sivjet ai do të futet në arenën e mundjes më 12 qershor.
“Kam ushtruar shumë për këtë festival. Këtë vit mbahet në Pratteln afër Baselit.
Më 12 qershor kam turneun e parë, sepse kam pasur një operacion të gjurit dhe kam pritur deri tash. Kam operuar gjurin në shtator të vitit të kaluar dhe deri tash e kam kaluar vetëm me stërvitje. Përgatitja më ka shkuar mirë dhe uroj të bëhet mirë”, ka theksuar Fejzaj.
Fejzaj është 27-vjeçar, ndërsa u lind në Zvicër. Banon në Wolfhalden të St. Gallenit. Babai tij është nga Peja, ndërsa nënën e ka kroate. Fejzaj thotë se nuk mund t’i ndajë Zvicrën, Kosovën dhe Kroacinë.

“Ky festival organizohet nga Federata e Mundjes e Zvicrës. Në këtë festival mund të marrësh pjesë që nga mosha 16-vjeçare. Me mundje kam filluar të merrem para 15 vjetësh, si 12-vjeçar. Jam i regjistruar në një klub ku jam duke banuar. Emri i klubit është Schwingclub Wolfhalden”, tregon ai.
Para se të bëhej mundës, Fejzaj është marrë me xhudo. Deri vitin e kaluar ka qenë edhe portier i hendbollit.
“Kam luajtur hendboll, por tash vetëm me mundje dhe fitnes. Kam luajtur hendboll në Ligën e Parë të Zvicrës te BSG Vorderland. Kam luajtur 18 vjet, ndërsa jam larguar vitin e kaluar. Në vitin 2019 nuk kam mundur të marr pjesë, sepse kam qenë i lënduar. Është ngjarja më e madhe që mbahet në Zvicër, në stadiume gati të mbushura me 60 mijë shikues. Vetëm unë kam qenë pjesëmarrës në festivalin e mundjes si shqiptar”, ka thënë ai.
Fejzaj tregon se Festivali i mundjes në Zvicër është festë.
“Është ndjenjë e papërshkruar, diçka speciale të hysh në arenën me 60 mijë njerëz e kur e fiton thërrasin emrin tënd. Është ngjarje e madhe. Herën e kaluar e ka fituar Stucki Christian. Ai është kampion, por ka edhe shumë të tjerë. Këtë vit më i miri është Giger Samuel. Edhe pse ka të bëjë me garën, festivali përfundon pa ndonjë incident. Sigurim janë 7 apo 8 policë”.
Fejzaj hyn në mesin e sportistëve me prejardhje shqiptare që kanë të arritura në Zvicër.
“Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën i njoh, por do të kisha dashur që të njoftohem me ta, pasi ata ndoshta edhe nuk më njohin”, ka thënë Fejzaj.