“Gjithmonë kam ëndërruar që muajin e mjaltit ta kaloja në Karaibe”, tha Eleonora Davi, një 26-vjeçare nga Italia që së fundi është kthyer nga muaji i mjaltit. “Vetëm unë dhe burri im në parajsën romantike – plazhe me rërë të bardhë, kokteje ekzotike e shumë gjëra të tjera”.
Mirëpo, pijet ekzotike të Karaibeve si “Starfruit Daiquiris” e “Bahama Mamas” dolën të ishin birrë në gota plastike. Rëra e plazheve të Arubas e Barbadosit doli të ishte bari i stadiumeve të futbollit, si “La Bombonera”, “Wanda Metropolitano” e “El Centenario”.
Parajsa e qetë në Karaibe për Eleonoran ishte zhurma në mesin e tifozëve që bënin atmosferë nëpër tribunat e stadiumeve të futbollit.
“Në fakt, muaji i mjaltit doli të ishte krejtësisht tjetër prej atij që e kisha ëndërruar gjithmonë. Dhe, fajin për këtë natyrisht që e ka burri im, Federico”, ankohet Eleonora.
Në të vërtetë, Eleonora e kaloi muajin e saj të mjaltit në 28 vizita të stadiumeve të futbollit, ku ishte e detyruar që t’i shikonte 15 ndeshje gjatë dy javëve të këtij muaji “romantik” me burrin e saj. Ky ishte rezultati i martesës me Federico Roccion, që ndryshe njihet si “Gjuetari i stadiumeve”. Falë pushimeve të muajit të mjaltit, Roccio arriti ta shfrytëzonte për të ngritur numrin e stadiumeve që ka vizituar. Kështu që, pas kthimit nga muaji i mjaltit, Federico me krenari tregon se deri më tash ka qenë i pranishëm në 603 stadiume në 42 shtete të ndryshme. Ai pranon se meritat për 28 stadiumet e fundit që i vizitoi i ka edhe gruaja e tij, Eleonora, që u pajtua për këtë udhëtim të pazakontë në muajin e mjaltit. Vetë Eleonora ka pranuar se edhe muaji i mjaltit nëpër stadiume përkrah burrit të saj nuk ishte një ide e keqe.
“Nuk kisha imagjinuar se do të pranoja një muaj të tillë të mjaltit. Ishte krejtësisht ndryshe dhe nuk po mund të besoj se kam pranuar ta dëgjoj Federicon”, qeshet Eleonora. “Por, në fund më duhet të pranoj se ishte një aventurë e jashtëzakonshme. Madje, mund të them se ishte muaj më i mirë i mjaltit sesa ai që e kisha ëndërruar gjithmonë në Karaibe”.
Varësia e Federicos
Në fakt, Federico njihet si një maniak i vizitave të stadiumeve. Ai këtë e ka varësi dhe Eleonora e kupton plotësisht. Ishte babai i Federicos, ai që e infektoi të birin e tij me këtë “sëmundje”. Këtë e pranon edhe Federico, i cili gishtin ia drejton babait të tij, Marios.
“Gjithçka filloi në dy faza. Babai im Mario, si të gjithë baballarët e mirë, në familjen tonë e imponoi besimin e madh për futbollin. Kjo më preku edhe mua, pasi më bëri që të jem i pasionuar pas Milanit. Ndeshjen time të parë të Milanit në stadium e kam shikuar me katër vjet. Pastaj, e mbaj në mend si adoleshent kur veproja për të gjetur një biletë më të lirë që të jem i pranishëm në stadium”, kujton Federico... (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar)