Sport

Federata rumune falënderon përkrahësit, dënon huliganët

Federata e Futbollit të Rumanisë (FRF) ka dënuar ashpër mesazhet provokuese të huliganëve, siç i ka quajtur, në ndeshjen kundër Kosovës. Dueli i luajtur të martën mbrëma në Bukuresht, u ndërpre për një kohë për shkak të mesazhit “Kosova është Serbi” të shfaqur në tribunat e stadiumit ku ishin të vendosur grupi i huliganëve “Uniti sub tricolor”.

Federata rumune ka shprehur keqardhjen për këtë incident, duke shtuar se pjesa tjetër e tifozëve hodhën poshtë aktet e huliganëve gjatë ndeshjes kualifikuese për “Euro 2024”.

Kosova u mposht 2:0 nga Rumania.

“Federata e Futbollit të Rumanisë fuqishëm dënon sjelljen e papërgjegjshme të grupit të shikuesve që çoi në ndërprerjen e ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës. Fillimisht, ritheksojmë parimin me të cilin qeveriset futbollit në Rumani, përkatësisht mosndërhyrjes së politikës në aktin sportiv. Revizionizmi nuk pranohet në futboll dhe FRF dënon ashpër mesazhet provokuese të natyrës politike, ideologjike, fetare apo fyese, të cilat janë kategorikisht të ndaluara në stadiume”, ka shkruar Federata rumune.

“Të gjitha këto u regjistruan në tribunat e Arenës Kombëtare nga një grup i vogël i të ashtuquajturve mbështetës, duke ndikuar në rrjedhën normale të ndeshjes. Aktet e huliganizmit u hodhën poshtë nga pjesa tjetër e spektatorëve në stadium, të cilët u privuan nga një spektakël futbolli që dëshironin dhe për të cilin paguan një biletë. FRF shpreh keqardhjen për përvojën e keqe të përjetuar nga shumica e shikuesve dhe gjithashtu i falënderon ata për mbështetjen fantastike që i ofruan ‘trengjyrëshve’ në pjesën e dytë të ndeshjes, duke i çuar në një fitore dramatike!” thuhet në deklaratë.