Të premten mori fund ëndrra e Donjeta Sadikut që të kualifikohet për Lojërat Olimpike. Boksierja kosovare humbi në turneun kualifikues në Paris nga një boksiere e Suedisë. Por sipas Federatës së Boksit të Kosovës, gjyqtarët e kanë dëmtuar Donjetën. Sipas federatës kosovare, Donjeta fitoi dy raunde dhe humbi një.
"Menjëherë pas duelit, FBOXK bëri ankesë për dëmtim të Donjetës nga gjyqtari nga Uganda, që në tri raundet fitoren ia dha suedezes. Kjo na dëmtoi në poena për të fituar duelin. Gjyqtari në ring 10 herë ia tërhoqi vërejtjen boksieres suedeze, por vetëm vërejtje interne për mbajtje e jo edhe vërejtje publike. Organizatori na dha përgjigje jo të mirë ku tha se ankesat pranohen në garat që i organizon AIBA, ndërsa këtë garë e udhëheq IOC-ja dhe nuk ka ankesa", thuhet në njoftim.
FBOXK ka paralajmëruar ankesë në IOC, ndërsa të njëjtën gjë do ta kërkojë edhe nga KOK-u. Por ndryshimi i rezultatit të meçit është i pamundur.