Në kohën kur media të fuqishme botërore u morën me diskriminimin që u bëri Serbia boksierëve të Kosovës, mediume serbe me qëndrim të qartë antishqiptar, kanë nisur sulme ndaj një sportisti që e prezanton Kosovën.
Bëhet fjalë për basketbollistin Mikaile Tmushiq, që ka kohë që luan për përfaqësuesen e Kosovës. Tmushiq aktualisht është pjesë e kampionit të Kosovës, Golden Eagle Yllit. Fundori më parë ishte te Prishtina, ku po ashtu u paraqit me sukses. Ndërsa përvojën e parë në Kosovë e kishte te Bashkimi i Prizrenit.
I lindur në Pejë, Tmushiq është rritur në Mal të Zi, ku edhe e nisi karrierën. U kthye në Kosovë për të vazhduar me basketboll dhe tashmë llogaritet prej lojtarëve kryesorë në ligë. Luan si vendor. Prej lojtarëve të rëndësishëm është edhe te përfaqësuesja e Kosovës.
“I pari në histori. Serbi luan për të ashtuquajturin shtet të Kosovës! Nuk hoqi dorë nga feja, gjuha, zakonet...”, është titulli i gazetës serbe “Kurir”, në shkrimin e publikuar më 25 tetor. Ishte kohë kur Serbia ishte në qendër të kritikave për diskriminimin ndaj boksierëve kosovarë, të cilët nuk i la të hyjnë në Serbi për të garuar në Botëror.
“Basketbollisti serb, Mikaile Tmushiq, ka disa vjet që luan në ligën kosovare, por edhe për reprezentacionin e të ashtuquajturit shtet të Kosovës. Në këtë mënyrë ai praktikisht është bërë sportisti ynë i parë që në nivelin senior mban fanellën e Kosovës së papranuar”, ka shkruar “Kurir”.
Mediumi kontrovers serb ka marrë për bazë atë që në kohën sa Tmushiq luante për Podgoricën, në sajtin zyrtar të Ligës ABA, te nacionaliteti i është shkruar SRB. Liga ABA është garë regjionale, ku ndikimi i Serbisë është i madh. Podgorica në edicionin e kaluar ishte pjesë e kategorisë së dytë të kësaj lige. 28-vjeçari, Tmushiq, nga Podgorica kaloi tek Ylli.
Gazeta “Kurir”, ndërkohë, ka publikuar edhe dy shkrime të tjera për reprezentuesin e Kosovës. Në njërin prej tyre është sulmuar nga Milovan Drecun, politikan me qëndrim të skajshëm antishqiptar e antiKosovë.
Mediumet e tjera serbe, si “Blic”, “Telegraf” e “Republika” kanë publikuar po ashtu shkrimet e “Kuririt” për Tmushiqin.
Vetë Tmushiqi ka kthyer një mesazh për “Kuririn”. Ka shkruar se është i fokusuar te skuadra ku luan.
“Në këtë mënyrë emri im përdoret për qëllime dhe zënka ditore politike. Unë si basketbollist jam i fokusuar vetëm te rezultatet që i arrij në klubin ku luaj aktualisht dhe te klubet ku kam luajtur më herët”, ka shkruar Tmushiq në mesazh, raporton “Kuriri” serb.
KOHA ka provuar të kontaktojë me basketbollistin e lindur në Pejë. Por, Tmushiqi nuk është përgjigjur në pyetjet e bëra.
Ndërkohë, drejtues të Federatës së Basketbollit të Kosovës i kanë dalë në mbrojtje basketbollistit të përfaqësueses. Tmushiqi pritet të luajë për Kosovën edhe në fund të muajit të ardhshëm. Selektori Christos Marmarinos të enjten ka publikuar listën e gjerë për ndeshjet me Norvegjinë dhe Danimarkën. Pjesë e saj është Tmushiqi.
Drejtuesit e FBK-së kanë folur në superlativ për Mikaile Tmushiqin.
“Mika, siç e thërras unë, është profesionist dhe djalë shembullor. Fushata, e cila po i bëhet në Serbi nuk është asgjë e re, sepse kohëve të fundit Serbia po bën fushatë ditore ndaj shtetit tonë dhe kujtdo që atë e përfaqëson. Demagogjia qëndron në atë që një sportist po sulmohet nga ato media të cilat në baza ditore thurin lavde për zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, ministra të Qeverisë e kryetarë të komunave të shtetit tonë nga komuniteti serb”, ka thënë Arben Fetahu, kryetar i FBK-së.
“Përfaqësuesja e Kosovës ka pasur në radhët e veta pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe të gjithë e kanë mbrojtur fanellën dhe stemën e Kosovës me nder dhe besnikëri. Tmushke është shembull i asaj se si luftohet për fanellën e Kosovës dhe këtë e ka dëshmuar në çdo ndeshje që është angazhuar deri sot”, ka shtuar Fetahu.
I pari i basketbollit kosovar thotë se Tmushiqi është i lindur në Kosovë dhe si lojtar është kalitur në Kosovë. Fetahu tregon që Tmushiqi është shumë mirënjohës për gjithçka që basketbolli kosovar dhe FBK-ja kanë bërë për të.
“Mika është i Kosovës aq sa është Kosova e tij. Prandaj, jam i bindur se presioni që po i bëhet për momentin, do të jetë pa efekt. Sporti duhet të bashkojë e të shërbejë si mjet i afrimit të komuniteteve dhe shoqërisë. Këtë e ka thënë edhe vetë Mikaele. Unë nuk kam çka të shtoj këtu përveçse të pajtohem me të dhe të them se mua, federatën dhe komunitetin e basketbollit na ka prapa në çdo hap”, thekson Arben Fetahu.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka shtuar se Tmushiqi është lojtar shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ajo ka theksuar se janë shumë të kënaqur me këtë basketbollist. FBK-ja nuk ka pasur telashe që në FIBA ta regjistrojë Tmushiqin si kosovar, pasi ka pasur dokumentacionin në rregull.
“Është fushatë e padrejtë. Bëhet fjalë për një lojtar korrekt dhe shumë punëtor. Ne e përkrahim fuqishëm, është pjesë e jona”, ka theksuar Dushku.
Ngjashëm është shprehur edhe Granit Rugova, drejtor i përfaqësueses së Kosovës. Sipas tij, Tmushiqi është lojtar korrekt, i sjellshëm dhe i respektueshëm.
“Ai asnjëherë nuk ka bërë diçka ku Kosova ka mundur të dalë keq apo të duket keq nga jashtë. Tmushiqi sa herë thirret nga Kosova, jep maksimumin dhe për këtë jemi mirënjohës. Nuk e di çfarë qëllimesh kanë mediat serbe dhe nuk merrem me to. Ka respektin tonë për sjelljet dhe angazhimin, ndërsa është duke kaluar formë shumë të mirë momentalisht”, ka theksuar Rugova.
Tmushiqi erdhi në basketbollin kosovar si pjesë e një kompromisi për një zbutje dënimi në Mal të Zi, pas një incidenti ku u përfshi. Por në Kosovë nuk ka pasur ndonjë episod negativ sa i takon sjelljes. Është shquar me lojëra të mira dhe shpejt u bë pjesë e përfaqësueses.