Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fazliu ndalet në luftën e parë në Botëror

Laura Fazliu është eliminuar në luftën e parë në Botërorin e xhudos që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Fazliu, që garon në kategorinë deri 63 kilogramë, u mposht nga kamerunasja Jeannette Audre Etoua Biock.

Në të vërtetë Fazliu bëri hedhjen dhe fillimisht ishte llogaritur si “ippon” për të, por pas rishikimit, u vlerësua se Fazliu kishte rënë fillimisht në kokë gjatë momentit të hedhjes dhe u diskualifikua.

Fazliu ishte duke e dominuar luftën dhe reagoi pas vendimit të gjyqtarëve. Po ashtu reagoi edhe trajnerja Majlinda Kelmendi.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vlerësuar se kishte elemente për diskualifikim të Lauras, pasi që në xhudo preventiva nga lëndimet është prioritet.

“Laura Fazliu në Botëror pasi hudhi kundështaren me ippon pas rishikimit të aksionit e sipas rregullave u diskualifikua! Arsyeja se kishte pas kontakt me kokë gjatë hudhjes! Ky është sporti i xhudos, preventiva prej lëndimit është prioritet. Sipas meje ka elemente për diskualifikim edhe pse është vështirë të kontrollet sulmi në situata të tilla. Ippon apo Hansoku ? Përndryshe Laura asnjë milimetër skishte rrezik të humb meçin pos me diskualifikim që edhe i ndodhi!” – ka shkruar Kuka në Facebook.

Kosova në Botërorin e xhudos në Uzbekistan ka fituar medalje të bronztë me Distria Krasniqin, ndërsa do të garojë të martën në kategorinë deri 78 kilogramë Loriana Kuka.

Artikuj të ngjashëm