Sport

Fazliji: Më dhemb pak zemra që nuk luajta, do të punoj edhe më shumë që t’i ndihmoj vendit tim

Betim Fazliji po kalon formë shumë të lartë në Superligën e Zvicrës në futboll. Ardhja e tij te Kosova ishte vlerësuar shumë e rëndësishme. Por, Fazliji qëndroi në stol ndaj Suedisë e Spanjës, ndonëse thotë se ishte i gatshëm për lojë dhe kishte mungesa në repartin defanziv. Fazlijit “i dhemb zemra” që nuk luajti, por mbetet i përkushtuar të paraqitet për Kosovën dhe ta ndihmojë vendin. Ai nuk ka luajtur ende ndeshje zyrtare me Kosovën, por thotë se deri në fund të jetës do të jetë “Dardan”

Pas një udhëtimi të gjatë, Betim Fazliji të enjten mbrëma arriti në Zvicër. Menjëherë të premten i është kthyer obligimeve te skuadra e tij, St. Galleni. Te skuadra e Superligës së Zvicrës, 21-vjeçari është shumë i rëndësishëm. Është titullar i padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes.

Fazliji, që me prejardhje është nga Lugina e Preshevës, i rëndësishëm beson se do të bëhet edhe te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Ai kishte lënë Shpresat e Zvicrës për të bërë karrierë ndërkombëtare te Kosova. Por momentalisht nuk është prej lojtarëve që selektori Bernard Challandes i llogarit si bartës të lojës në mbrojtje.

Fazliji nuk ka fituar asnjë minutë në ndeshjet e marsit. Për ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë ishte i lënduar. Për ndeshjet kualifikuese me Suedinë e Spanjën, nuk e fitoi rastin. Thotë se ishte 100 për qind i gatshëm. Por Challandes vendosi për lojtarë të tjerë.

Për ndeshjen ndaj Suedisë, Challandes qendrën e mbrojtjes ua besoi Fidan Aliti e Mërgim Vojvodës, që zakonisht mbulon krahun e djathtë. Ky kombinim nuk funksionoi. Për dy golat e parë u vlerësuan përgjegjës mbrojtësit e qendrës. Lideri i mbrojtjes, Amir Rrahmani ishte i lënduar, ndërsa Ibrahim Dresheviq, një tjetër kandidat për mbrojtje, ishte i pezulluar.

Ndaj Spanjës, Kosova luajti me tre mbrojtës në vijën e fundit. Mërgim Vojvoda ishte në të djathtë, Ibrahim Dresheviq në qendër e Fidan Aliti në të majtë. Ata janë ndihmuar nga Florent Hadërgjonaj në të djathtë e Benjamin Kololli në të majtë, që megjithatë ishte dukshëm më i avancuar.

Ndaj Suedisë, Kosova pranoi tre gola e nuk shënoi asnjë. Ndaj Spanjës shënoi një gol e po ashtu pranoi tre.

Të dy këto ndeshje, Fazliji i përcolli nga stoli i rezervistëve.

“Do të kisha dëshirë të luaja, por nuk më erdhi rasti edhe pse kam pritur shumë që të luaj”, ka thënë Fazliji për KOHËN.

“Nuk më janë mundësuar minuta, por çka të bëjmë. Nuk mund të vendos unë për këtë gjë, edhe pse isha i gatshëm. Në ndeshjen e parë nuk isha i gatshëm, por në të dytën e në të tretën isha 100 për qind”, ka shtuar mbrojtësi Fazliji.

Ai në fakt deri në edicionin e kaluar ka luajtur mesfushor defansiv. Është kthyer në mbrojtje dhe ka gjetur pozitën që i përshtatet dhe ku po shfaq vlera. Te St. Galleni në Superligën e Zvicrës i kompleton të gjitha ndeshjet.

Fazliji nuk ka diskutuar shumë me Challandesin për mbetjen në stol. E pranon vendimin e tij, ndonëse pranon se nuk ishte lehtë.

“Dëshira për të luajtur ishte shumë e madhe. Nuk më erdhi mundësia, kështu që duhet të pres edhe pak. Kam menduar se do të luaj, kam qenë 100 për qind dhe në formë të lartë. Por unë do të vazhdoj të punoj edhe më shumë. Si çdo futbollist, unë dua të performoj dhe t’i ndihmoj vendit tim. Të jesh rezervë, secilit lojtar i dhemb zemra pak. Por unë do të luftoj dhe do të jap çdo gjë që të bëhem më i mirë. Kur të më vijë rasti edhe do të performoj”, ka shtuar Fazliji.

Ai thotë se dëshira e gjithë ekipit ishte të merren pikë ndaj Suedisë e Spanjës. Por Fazliji vlerëson forcën e këtyre dy përfaqësuese. Thotë se Kosova kishte dy ndeshje shumë të vështira. Ai është optimist se shpejt do t’i vijë rasti që të luajë për Kosovën në ndeshje zyrtare. Ndeshjet e ardhshme kualifikuese janë në shtator.

Fazliji kishte debutuar në miqësoren ndaj Shqipërisë më 11 nëntor të vitit të kaluar. Për ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë nuk e kishte dokumentacionin e kompletuar. Ndërkohë, e fitoi të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare, por fillimisht lëndimi ia mohoi ndeshjen me Lituaninë, ndërsa për arsye sportive mbeti jashtë ekipit në ndeshjet me Suedinë e Spanjën.

Por nuk ka rrezik që Fazliji të bëj përpjekje për largim nga Kosova në drejtim të ndonjë përfaqësuese tjetër, ndonëse ende nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që përfundimisht do t’ia mohonte ndryshimin e ri të përfaqësueses.

“Unë jam ‘Dardan’, sot e deri në fund të jetës. Unë e kam lënë Zvicrën, sepse e dua vendin tim, me gjithë respektin për Zvicrën”, thotë Fazliji.